RTK, Blerta dhe e vërteta që nuk mbytet
Shkruan: Festim KABAShI
Kur Blerta vendosi ta linte KTV-në për të ardhur në RTK, unë e njihja vetëm nga ekrani. Në fakt, isha dashuru fillimisht në profesionalizmin e saj gjatë paraqitjeve të drejtpërdrejta në edicionet e atëhershme informative të televizionit konkurent, ku lajmi shpeshherë kalonte më parë andej. Kjo do të duhej të ketë qenë edhe shtysa e drejtorit të atëhershëm gjeneral Agim Zatriqi, për ta ftuar Blertën t’i bashkohej RTK-së.
Fillimi i vitit të ri 2004, ishte edhe fillimi i rrugëtimit tonë të përbashkët, në jetë dhe në profesion. Cdo hap i rëndësishëm për ne ka pasur gjithmonë në sfond ekranin e televizionit publik – që nuk e trajtuam veç si vend pune, por si një përgjegjësi të madhe publike.
Blerta dhe unë u zhvilluam së bashku me RTK-në, që nga vitet e para të pasluftës, në kohën kur vizioni ishte më i madh se inatet dhe misioni më i fortë se frika. I kemi dhënë gjithçka këtij institucioni – kohën, energjinë, mendjen, zemrën. Dhe jo rrallë, edhe rehatinë e familjes. Edhe RTK-ja na ka dhënë shumë – rritje, përvojë, miqësi, kujtime që mbesin.
Sot, Blerta po përballet me një valë të re sulmesh – të ndyta, të ulëta, të orkestruara, vetëm sepse ajo nuk ndryshon qëndrim sipas rrotës së pushtetit. Të njëjtët që dikur e përgëzonin për profesionalizmin e saj, sot duan ta largojnë nga ekrani, nga moderimi, nga fjala.
Dhe e gjitha kjo – jo për mungesë cilësie, por për tepricë integriteti. A është gabim të jesh po aq profesioniste kur opozita bëhet qeveri? A është krim të mos e ulësh kokën përballë arrogancës? Nëse po, atëherë në rregull, Blerta “fajësohet” me të drejtë!
Por duhet ta dijnë të gjithë se Blerta nuk është vetëm. Është me të vërtetën dhe e vërteta pikërisht kur tentohet të mbytet, kumbon edhe më fort.
Kjo nuk është hera e parë që përballemi me presione. Nuk është hera e parë që përpiqen të na ndalin, të na përbaltin, të na demoralizojnë. As nuk është hera e parë që fëmijët tanë pyesin pse gjithmonë jemi “në luftë me diçka”?
Mund të na mbyllin dyer, të na ndalin programe, të na censurojnë përkohësisht – por nuk do të arrijnë kurrë të na bëjnë të heshtim.
Qeveritë kalojnë. Drejtorët gjithashtu. RTK-ja do të qëndrojë edhe kur nuk do të jemi më pjesë e saj.
