Rritet interesi për turizmin rural në Libohovë

Zonat rurale të Libohovës po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje nga turistët e huaj, duke u kthyer në destinacione të preferuara për ata që kërkojnë natyrë të paprekur, traditë dhe qetësi.

Sipas specialistit të turizmit Arjan Cano, fshatra si Labova e Kryqit, Nepravishta dhe zona e Zagorisë janë ndër më të frekuentuarat.

“Për shkak të aseteve turistike, natyrore, por edhe monumente e kultit, sigurisht që ka një kërkesë më të madhe për Labovën e Kryqit nga turistët. Është edhe Nepravishta që ka marrë vëmendjen në aspektin Turistik, por edhe Zagoria për natyrën e pastër”, tha Ajan Çano, specialist i turizmit.

Rritja e interesit për këto destinacione ka sjellë një ndryshim të dukshëm në jetën e banorëve vendas. Duke parë kërkesën në rritje nga turistët, shumë familje kanë filluar të investojnë në hapjen e bujtinave.

“Trendi është në rritje. Banorët mundohen të hapin bujtina apo t’i kthejnë shtëpitë e tyre në shtëpi pritëse”, u shpreh Çano.

Zhvillimi i turizmit rural në Libohovë po shihet si një mundësi e rëndësishme për të ardhmen e këtyre zonave. Me rritjen e numrit të bujtinave dhe përmirësimin e shërbimeve, pritet që këto destinacione të tërheqin edhe më shumë vizitorë në vitet në vijim.


Go to TOP