Rreth 200 studentë diplomojnë në Pejë, Kurti premton reforma në arsim

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të rreth 200 studentëve të Universitetit “Haxhi Zeka”, në Pejë.

Sipas njoftimit, duke falënderuar profesorët dhe u uruar të diplomuarve suksese në rrugëtimin e mëtejmë profesional e personal, kryeministri në detyrë Kurti theksoi se Qeveria do të jetë krah tyre.

“Shumë të dashur studentë, ju tanimë jeni gati për të shërbyer me vendosmëri për zhvillimin ekonomik, juridik, kulturor, teknologjik, turistik dhe bujqësor në Pejë, dhe në tërë Kosovën. Tani me njohuritë teorike e shkathtësitë praktike të cilat i keni marrë, u takon juve, të ndërtoni të ardhmen. Mos i harroni rrënjët tuaja këtu, në këtë universitet, në qytetin tuaj. Kudo t’ju çojë udha e jetës, vendlindja dhe universiteti i studimeve tuaja mbetet vendi ku dija, talenti dhe përkushtimi juaj lënë gjurmë të madhe”, tha ai.

Pasi foli për investimin në vlerë afër 5 milionë euro për objektin e ri të Fakultetit të Biznesit dhe atij të Menaxhimit të Turizmit dhe ndarjen e mjeteve në vlerë 3.5 milionë euro për ndërtimin e Inkubatorit të Biznesit, Kurti nënvizoi disa prej prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për arsimin e lartë.

 “Sot nga Peja dua të ju njoftoj që mandati ynë i ri, i cili nis së shpejti do të jetë edhe mandat i ristrukturimit të arsimit të lartë. Universitetet duhet të kenë profile të qarta, buxhetimi duhet të bëhet në bazë të performancës, drejtimet e studimeve duhet të lidhen me prioritetet shtetërore dhe industrinë, ndërkaq diploma duhet të përkthehet doemos në vend pune. Në këtë drejtim, një nga angazhimet tona do të jetë edhe sigurimi i të ardhurave shtesë mbi pagën bazë për profesorët”, theksoi kryeministri në detyrë Kurti.

Të diplomuarit janë nga pesë njësi akademike të Universitetit “Haxhi Zeka”: Fakulteti i Biznesit, Fakulteti i Menaxhimit në Turizëm, Hoteleri dhe Mjedis, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Agrobiznesit dhe Fakulteti i Arteve. /Kosova.info/

Go to TOP