Osmani: Integrimi evropian po ngec për shkak të krizave të njëpasnjëshme
Ish presidentja e Kosovës dhe kandidatja për presidente nga LDK, Vjosa Osmani, në një intervistë për Deutsche Welle ka folur për situatën politike në vend, duke e cilësuar atë të përsëritur dhe me ndikim negativ në funksionimin institucional dhe në procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Ajo ka theksuar se përsëritja e krizave politike po ndikon drejtpërdrejt në perceptimin e qytetarëve dhe në besimin e tyre ndaj institucioneve. “Është bërë një dukuri e rregullt, por është për të ardhur keq”, ka deklaruar Osmani, duke shtuar se kjo situatë po shkakton frustrim të vazhdueshëm te qytetarët dhe po e vështirëson ecjen përpara të vendit.
Sipas saj, krizat e njëpasnjëshme po reflektohen edhe në procesin e integrimit evropian, i cili, siç tha ajo, po ngec për shkak të paqëndrueshmërisë politike. “Është gjithashtu frustrim për procesin e integrimit evropian, i cili po ngec për shkak të krizave të njëpasnjëshme”, u shpreh ajo.
Megjithatë, Osmani është shprehur më optimiste pas zgjedhjeve të fundit, duke thënë se ekziston mundësia që subjektet politike të gjejnë kompromis për formimin e institucioneve. “Pas këtyre zgjedhjeve, jam pak më shpresëplotë se të gjitha forcat politike do ta kuptojnë se kompromisi është rruga përpara”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se vonesat në formimin e institucioneve ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin politik dhe në proceset shtetërore, duke theksuar nevojën që partitë të ulen dhe të gjejnë zgjidhje në interes të vendit. “Kur votat të numërohen, partitë duhet të ulen dhe të bisedojmë si politikanë që e duan vendin e vet”, është shprehur Osmani.
