Hadergjonaj: Sakrifica e dëshmorëve të Koshares është amanet për ta ruajtur lirinë dhe shtetin

Deputeti i LDK-së dhe jëri nga komandantët e Betejës së Koshares, Fadil Hadergjonaj ka përkujtuar 28-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve Avdyl Jasiqi, Shkëlzen Gacaferi dhe Arif Gjoci.

Hadergjonaj bëri homazhe në vendin e rënies së tyre së bashku me kryetarin e Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, bashkëpunëtorë, familjarë dhe bashkëluftëtarë duke nderuar sakrificën dhe heroizmin e tyre.

Ai theksoi se kjo betejë mbetet njëra ndër fitoret më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku forcat serbe pësuan humbje të mëdha në njerëz, teknikë luftarake dhe terren, përfshirë edhe oficerë të lartë.

“Sakrifica e Avdylit, Shkëlzenit dhe Arifit, si dhe e të gjithë dëshmorëve të kombit, është amanet që na obligon ta ruajmë lirinë, ta forcojmë shtetin dhe të mos harrojmë kurrë çmimin që u pagua për të”, u shpreh Hadergjonaj.

Në përfundim, ai shprehu lavdi të përjetshme për heronjtë e rënë dhe mirënjohje për familjet e tyre dhe të gjithë bashkëluftëtarët që, sipas tij, me sakrificën dhe qëndresën e tyre shkruan faqet më të ndritura të historisë së Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP