Rrahmani: Luajtëm mirë, sidomos në pjesën e parë

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka vlerësuar paraqitjen e ekipit në ndeshjen miqësore të zhvilluar të martën kundër Hungarisë. Edhe pse Kosova është mposhtur me rezultatin 2-0, Rrahmani ka theksuar se ekipi pati një paraqitje shumë të mirë, veçanërisht në pjesën e parë të takimit.

“Ishte një lojë interesante dhe shumë e mirë, sidomos në pjesën e parë, ku krijuam aksione të rrezikshme të cilat edhe mund t’i konkretizonim me gol. Goli në pjesën e dytë na prishi planet, por nuk duhej të ulnim kokën. Në përgjithësi ishte një paraqitje e mirë. Ndaj kundërshtarëve të fortë mjafton një gabim dhe nuk të falet, sepse kanë lojtarë me kualitet të madh”, është shprehur Rrahmani. 

Ai gjithashtu ka shtuar se ekipi po punon për të përmbushur kërkesat e trajnerit të ri.

“Po provojmë të bëjmë lojën që po kërkon trajneri i ri. Vetëm ndeshja e dytë ishte dhe patëm një kundërshtar të fortë. Po mundohemi të bëjmë presion lart, siç po kërkon trajneri. Pasi mund ta kemi më të lehtë të shënojmë nëse marrim topin lart. Besoj se duhet përmirësuar kur po humbim topin, reagimin”, ka thënë futbollisti i Napolit. 

Go to TOP