Rraci përkujton Gjetajn: Shembull i ndershmërisë dhe përkushtimit ndaj Kosovës
Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të Prenk Gjetajt, kryetari i LDK-së, dega në Klinë, Alban Ismet Rraci, ka përkujtuar me respekt dhe mall figurën e tij të shquar politike dhe shoqërore.
“Sot, në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të Prenk Gjetajt, me respekt dhe mall përkujtoj një njeri të urtë, të drejtë dhe të përkushtuar, i cili la gjurmë të pashlyeshme në jetën politike dhe shoqërore të komunës sonë,” ka shkruar Rraci.
Ai e cilësoi Gjetajn si më shumë se një udhëheqës, duke theksuar se ishte shembull i një njeriu që i shërbeu vendit me dinjitet dhe përkushtim të rrallë.
“Si kryetar komune, si kryetar i Degës së LDK-së në Klinë dhe si zë i fuqishëm i çështjes së të pagjeturve, ai veproi gjithmonë me ndershmëri, guxim dhe sinqeritet,” theksoi ai.
Rraci përfundoi përkujtimin me vlerësimin se ish-kryetari do të mbetet një figurë e veçantë në kujtesën kolektive, përkushtuar interesit të vendit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Lavdi jetës dhe veprës së tij!”, përfundoi Rraci. /Kosova.info/
