Rimanishta: Kësaj here votoj dhe përkrah LDK-në për parimet dhe reformat që përfaqëson

Rushit Rimanishta, mjek shqiptar që jeton dhe vepron në Suedi, ka bërë publike vendimin e tij për të votuar dhe përkrahur Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e ardhshme. Përmes një postimi, ai shpjegon arsyet e këtij vendimi, duke u fokusuar te parimet demokratike dhe reformat e ndërmarra nga kjo parti.

“Kam vendosur jo vetëm të votoj, por edhe ta përkrah me aq sa mundem LDK-në. Arsye kam plot, por kryesorja është respektimi i parimeve elementare të demokracisë,” thekson Rimanishta.

Ai vlerëson LDK-në si një ndër partitë e pakta në Kosovë që nuk është pronë e një individi, por e cila zgjedh liderin me vota dhe konkurrencë brenda organeve të saj. Rimanishta shton se LDK, ndryshe nga partitë që varen nga një lider i vetëm, ka treguar se është e qëndrueshme dhe nuk rrezikon të shuhet në mungesë të udhëheqësit aktual.

“Jam rritur dhe formësuar në Suedi, një nga vendet më demokratike në botë, dhe e di se partitë që janë pronë e një individi nuk vlerësohen si demokratike,” shkruan ai.

Përveç kësaj, Rimanishta lavdëron reformat e kryera nga LDK dhe listën e kandidatëve për deputetë, të cilët i përshkruan si “njerëz të dëshmuar, punëtorë, të emancipuar dhe demokratë të vërtetë”.

Ai gjithashtu ndan respektin dhe përvojën e tij personale me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku duke theksuar korrektësinë dhe profesionalizmin në raportet njerëzore dhe shoqërore, edhe kur kanë pasur qëndrime të kundërta politike.

“Kësaj radhe e kam ndarë mendjen për LDK-në,” përfundon Rimanishta duke apeluar për mbështetje ndaj një partie që, sipas tij, mishëron vlerat demokratike dhe reformat progresive. /Kosova.info/


Go to TOP