Rexhaj: Vlerësimi i kurrikulave pa agjenci të pavarur rrezikon gabime serioze në arsim

Eksperti i arsimit dhe ish-zëvendësministri i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka reaguar ndaj nismës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për vlerësimin e kurrikulave lëndore duke vlerësuar se kjo është një çështje jetike për cilësinë e arsimit, por e gabuar në mënyrën se si po trajtohet.

Rexhaj ka theksuar se kurrikula është zemra e sistemit arsimor, pasi përfshin mësimdhënien, të nxënit, tekstet shkollore, cilësinë e arsimit, si dhe vlerësimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe shkollave. Sipas tij, të gjitha përpjekjet dhe dështimet e arsimit kosovar në 17 vitet e fundit lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si janë ndërtuar kurrikulat.

Ai ka përshëndetur faktin që MASHTI ka vendosur të bëjë vlerësimin e kurrikulave, por ka kritikuar fillimin e këtij procesi pa themelimin e një agjencie të pavarur, profesionale dhe kompetente për kurrikula, ashtu siç e kërkon Ligji.

Sipas Rexhajt, nga vendimi i MASHTI-t nuk është e qartë se çfarë po vlerësohet konkretisht: cilësia e kurrikulave lëndore, zbatimi i tyre në shkolla, apo ndërtimi i kompetencave dhe realizimi i rezultateve kryesore të kurrikulës shtetërore përmes kurrikulave lëndore.

Ai po ashtu ka ngritur shqetësime lidhur me kornizën dhe kriteret e vlerësimit duke vlerësuar se korniza aktuale kurrikulare nuk i përgjigjet më realitetit të ri pas pandemisë së COVID-19, zhvillimeve të shpejta në digjitalizim, inteligjencë artificiale dhe ndikimit të rrjeteve sociale.

“Kurrikula që flet për TIK-un nuk mund t’i përgjigjet nevojave për inteligjencën artificiale, e aq më pak zhvillimeve të ardhshme si kompjuterika kuantike. Fëmijët tanë nuk do të rriten me teknologjitë e sotme, por me teknologji krejtësisht të tjera”, ka theksuar Rexhaj.

Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen për vlerësimin e kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore duke paralajmëruar se kjo mund të çojë në shtimin e lëndëve të reja, më shumë libra dhe ngarkesë më të madhe për nxënësit, pa përmirësim real të cilësisë.

Në këtë kontekst, Rexhaj i ka bërë thirrje Qeverisë dhe MASHTI-t që pa vonesë të nisin përgatitjet për themelimin dhe funksionalizimin e Agjencisë për Kurrikula, Standarde dhe Vlerësim, si dhe të fillojnë vlerësimin e zbatimit të kurrikulës shtetërore në shkolla.

Sipas tij, në bazë të këtij vlerësimi duhet të bëhet një rishikim i lehtë i Kornizës aktuale Kurrikulare, me fokus në parimet, kompetencat dhe rezultatet kryesore, e vetëm më pas të hartohen kurrikula të reja lëndore ose sipas fushave kurrikulare.

Në fund, Rexhaj ka theksuar se procesi duhet të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës duke nënvizuar se Kosova ka nevojë për një kurrikulë të sajën, të ndërtuar për fëmijët e Kosovës, me përfshirje të ekspertizës vendore dhe ndërkombëtare, e jo për modele të kopjuara nga vende të tjera. /Kosova.info/


Go to TOP