Hapet rruga Tetovë – Kodër e diellit

Reshjet e borës që ranë në 24 orët e fundit kanë vështirësuar qarkullimin në disa akse rrugore të Maqedonisë së Veriut.

Gjatë natës ka pasur vështirësi në qarkullim në rrugën që lidh Tetovën me Kodrën e Diellit. Sot rruga është pastruar dhe automjetet lëvizin pa pengesa deri në qendrën e skijimit.

“Nga kompania u njoftuam se ekipet kanë qenë në terren dhe kanë bërë pastrimin e fshatrave të malësisë së Tetovës. Meqenëse reshjet e borës kanë qenë të vazhdueshme, ka qenë disi e vështirë që mjetet të ngjiten deri atje, por gjithsesi kanë arritur të bëjnë pastrimin e borës. Ndërsa në Tetovë dhe fshatrat përreth nuk kemi pasur probleme në këtë aspekt”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.

Edhe qytetarët që i intervistuam në Kodrën e Diellit thanë se gjatë ditës së sotme automjetet kanë lëvizur pa pengesa, por shtojnë se rruga ende mbetet e pa pastruar deri në asfalt.

 “Sot rrugët janë të pastruara. Gjatë ditës së djeshme ka pasur reshje bore. Shumë vetura kanë mbetur në rrugë për në Kodrën e Diellit, mirëpo sot janë të kalueshme”, tha një qytetar.

“Nuk është deri në asfalt e pastruar, për arsye se ka disa turistë që i lënë makinat e parkuara para vikend-shtëpizave”, deklaroi tjetri qytetar.

 “Mirëmbajtja është pak si e dobët. Ka pasur problem me vetura, pasi veturat kanë pasur vështirësi për t’u ngjitur lart”, tha për RTK-në një qytetar.

Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë së Veriut njoftoi se sot pasdite është hequr ndalesa e qarkullimit për automjetet e rënda në rrugën Mavrovë–Dibër dhe në aksin Gostivar–Strazhë–Kërçovë.


Go to TOP