Rexhaj: Rama, alternativa bashkuese për LDK-në dhe udhëheqjen e vendit

Veprimtari i çështjes kombëtare, Sali Rexhaj, ka reaguar me një mesazh publik duke mbrojtur kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe duke bërë thirrje për unitet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Rexhaj theksoi se Rama përfaqëson një kulturë tjetër politike, larg qasjeve konfliktuale që, sipas tij, kanë karakterizuar skenën politike në Ballkan. Ai vlerësoi se Rama ka sjellë “frymën e Londrës” në politikën kosovare dhe nuk ka probleme bashkëpunimi me partitë e tjera duke rikujtuar traditën e LDK-së për bashkëqeverisje që nga koha e Ibrahim Rugovës.

Në reagimin e tij, Rexhaj u shpreh se Rama është ndër politikanët e rrallë që ka arritur fitore të njëpasnjëshme ndaj kundërshtarëve politikë në zgjedhje të lira dhe demokratike duke e cilësuar atë si një figurë me potencial për udhëheqje në nivel qendror.

Ai gjithashtu kritikoi përçarjet e brendshme në LDK duke paralajmëruar se një parti e përfshirë në konflikte të brendshme dhe e izoluar politikisht nuk i shërben vendit. Sipas tij, LDK duhet të rikthehet te fryma e bashkëpunimit dhe partneritetit me subjektet e tjera politike, siç ka bërë historikisht.

Në fund, Rexhaj theksoi se një LDK e fortë dhe e bashkuar është e domosdoshme për stabilitetin politik dhe zhvillimin e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP