Rexhaj: Dhuna në shkolla është pasojë e politizimit primitiv 25‑vjeçar të arsimit

Eksperti i arsimit dhe ishzëvendësministri i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka reaguar pas rastit të fundit të dhunës në shkollë duke theksuar se fajtorë individualë nuk janë as mësimdhënësi dhe as nxënësit, por një sistem i tërë arsimor i deformuar për më shumë se dy dekada nga politizimi ekstrem.

Sipas Rexhajt, në rastin e sotëm viktima janë njëkohësisht mësuesi dhe nxënësit, pasi të dy palët janë produkt i një sistemi arsimor të “përçudnuar dhe të përdhunuar” nga politikat partiake për 25 vjet rresht. Ai thekson se politizimi i arsimit është bërë nga kryetarët e komunave, në shërbim të partive, klaneve dhe grupeve politike, me qëllimin e vetëm sigurimin e votave dhe favoreve elektorale.

“Këta janë viktima të një veprimtarie sistematike anti‑arsimore nga bajraktarë e militantë të të gjitha partive politike. Ashtu siç kanë qenë viktima prindërit dhe nxënësit e Kamenicës vite më parë, ashtu siç janë sot viktima të gjithë nxënësit dhe mësuesit që përfshihen në konflikte pa e kuptuar as vetë se si përfunduan aty,” shprehet Rexhaj.

Ai kritikon ashpër mënyrën e menaxhimit të buxhetit të arsimit duke theksuar se mbi 90 për qind e buxhetit të arsimit parauniversitar shkon për paga, kryesisht si rezultat i punësimeve politike, ndërkohë që ky nivel, sipas tij, do të duhej të ishte rreth 55–60 për qind. Sipas Rexhajt, në vend të psikologëve, pedagogëve, punëtorëve socialë dhe këshilltarëve të karrierës, janë punësuar mësimdhënës të tepërt vetëm mbi bazën e lojalitetit politik.

“Politikanët partiakë dhe kryetarët e komunave e shohin shkollën vetëm si vend mësimi, jo si hapësirë edukimi, mirëqenieje, përkujdesjeje dhe zhvillimi emocional për fëmijët,” thekson ai duke shtuar se mungesa e kabineteve të artit, shkencës, teknologjisë dhe aktiviteteve kreative është pasojë direkte e këtij mentaliteti.

Rexhaj bën thirrje që mësimdhënësit dhe nxënësit të mos fajësohen për situata të tilla, pasi ndëshkimi i tyre, sipas tij, nuk do t’i ndalë problemet. Ai propozon një sërë masash konkrete për adresimin e shkaqeve reale të dhunës në shkolla duke përfshirë depolitizimin e arsimit, fuqizimin e shërbimeve profesionale në shkolla, rritjen e pranisë së policisë dhe sigurimit, pajisjen e shkollave me mjete bashkëkohore mësimore, si dhe bashkëpunimin e ngushtë mes shkollave, prindërve, policisë dhe shërbimeve sociale.

Në mesin e rekomandimeve të tij janë edhe trajtimi me prioritet i dhunës në familje, delikuencës dhe bullizmit, si dhe mundësimi i pensionimit të hershëm për mësimdhënësit mbi moshën 60‑vjeçare dhe ritrajnimi i stafit të tepërt.

“Në fund, shteti duhet ta ndërpresë menjëherë këtë cikël të së keqes. Zhvillimi i fëmijëve tanë është misioni më i shenjtë i shtetit të Kosovës. Nuk guxojmë të humbim asnjë minutë më shumë. Përndryshe, nesër të gjithë do të jemi viktima,” përfundon Rexhaj. /Kosova.info/


Go to TOP