Kadri Kryeziu befason: Hashim Thaçi, Ismail Qemali i shqiptarëve që mendojnë shqip

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka bërë një deklaratë të fortë duke e krahasuar ish-presidentin Hashim Thaçi me figurën historike të Ismail Qemalit. Sipas Kryeziut, për shqiptarët që e kuptojnë dhe e ndjejnë historinë e tyre, Thaçi mbetet nismëtari i shpalljes së pavarësisë dhe një figurë me peshë të veçantë historike.

Ai theksoi se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është gjykim individual, por një përpjekje për të dënuar vetë luftën çlirimtare të Kosovës. “Duhet të kihet parasysh se ata atje nuk janë duke u gjykuar si individ. Hashim Thaçi është personi që e ka shpall pavarësinë. Për shqiptarët që kuptojnë shqip ai është Ismail Qemali”, deklaroi Kryeziu.

Duke folur për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai nënvizoi se ajo ishte një luftë e drejtë për liri dhe pavarësi përballë një regjimi diktatorial duke kujtuar viktimat, dëshmorët dhe fëmijët e vrarë. “Na të gjithë jemi që kemi luftu për liri dhe pavarësi në raport me një diktator. Kemi të vrarë, kemi dëshmorë e fëmijë të vrarë. Ky është gjenocid”, u shpreh ai.

Në përfundim, Kryeziu theksoi se çdo dënim ndaj Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij do të nënkuptonte dënim të vetë luftës së Kosovës. “Dënimi i tyre është dënimi i gjithë asaj lufte që ne e kemi bërë”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP