Rexha: Raporti i “Freedom House” më negativi në vitet e fundit

Organizata ndërkombëtare “Freedom House” në raportin e saj për Kosovën u ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe mediave në Kosovë, ku thotë se liria e përgjithshme e fjalës dhe shprehjes është deri diku e kufizuar. Ndërkohë, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha në një lidhje direkte në ‘Info Plus’ të RTK-së tha se raporti për Kosovën është më negativi deri më tash dhe më ekspliciti në vitet e fundit.

Madje, ai tha se ky raport si asnjëherë më parë ka dhënë detaje për të gjitha problemet e gazetarëve.

“Raporti i sivjetmë për media i “Freedom House” është me siguri më negativi dhe më ekspliciti në vitet e fundit, duke dhënë si asnjëherë me parë në detaje të gjitha problemet dhe sfidat në të cilat janë ballafaquar gazetarët dhe mediet në Kosovë gjatë vitit 2023”, tha Rexha.

Tutje, sipas tij, këto janë edhe shqetësimet e AGK-së të ngritura gjatë 2023 dhe se ky raport i referohet AGK-së dhe shifrave të dhëna nga AGK për gazetarët e sulmuar.

“Pra janë dy çështje, siguria ndaj gazetarëve dhe fushata denigruese e Qeverisë së Kosovës”, tha Rexha në RTK.

Ai tha se sulmet më të mëdha ndodhën në qershorin e kaluar në veri të Kosovës, ku u sulmuan 9 gazetarë nga pjesëtarë të maskuar serbë në këtë pjesë të vendit.

Go to TOP