Resuli: Hapi i parë drejt rritjes së pagave dhe përmirësimit të kushteve për veterinerët shtetërorë në 2025

Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar Shqiptar, Ervin Resuli, ka nisur vitin 2025 me një nismë të rëndësishme për profesionin e veterinerëve shtetërorë. Në ditën e tij të parë të punës për këtë vit, Resuli firmosi një advokim për rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe krijimin e mundësive për zhvillim profesional të mjekëve veterinarë shtetërorë.

“Ky është një hap i rëndësishëm për ta çuar përpara profesionin tonë dhe për të garantuar që kontributi i veterinerëve të vlerësohet në mënyrë të drejtë, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë social dhe ekonomik,” deklaroi Resuli.

Sipas tij, kjo kauzë do të jetë një nga prioritetet kryesore gjatë vitit 2025, duke ndikuar pozitivisht jo vetëm në përmirësimin e kushteve për veterinerët, por edhe në mbrojtjen e shëndetit publik dhe mirëqenien e komunitetit.

Ai vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të unitetit në përmbushjen e këtyre objektivave. “Së bashku, me përkushtim dhe unitet, mund t’i arrijmë qëllimet tona dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për veterinerët dhe sektorin veterinar në tërësi,” tha Resuli.

Kjo nismë përbën fillimin e një rrugëtimi që kërkon angazhim të vazhdueshëm, duke hapur rrugën për zhvillime të reja dhe të qëndrueshme në sektorin veterinar. /Kosova.info/


Go to TOP