Reshjet në Rahovec shkaktojnë dëme në ekonomi familjare dhe në të mbjella

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime edhe në komunën e Rahovecit, duke prekur më së shumti fshatin Fortesë, ku janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonomitë familjare. Banorët raportojnë humbje materiale, ndërsa institucionet lokale janë në terren për vlerësimin e situatës.

Komuna e Rahovecit është përfshirë nga vërshimet si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut. Fshatrat më të prekura janë Fortesa dhe Xërxa.

“Në këtë problem fshati Fortesë është numër një. Pronat nuk kanë marrë zgjidhje deri tani dhe njerëzit vazhdojnë të vuajnë çdo ditë, çdo muaj, çdo vit,” thotë Gëzim Gashi, banor i Fortesës.

“Në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës gjashtë, lumi ka dalë nga shtrati dhe uji ka mbuluar pjesën më të madhe të fshatit. Ekonomitë familjare janë goditur rëndë, arrat janë dëmtuar dhe madje është prekur edhe njehsori elektrik,” thotë Durmish Gashi, banor.

“Po ballafaqohemi me këtë gjendje sepse ne si fshat jemi në një pozitë pak më të ulët dhe vërshimet që na vijnë nga lart na ngulfatin. Situata është e vështirë çdo herë kur ka shi këtu,” tha Kujtim Berisha, banor.

Ndërkohë, ekipet emergjente kanë intervenuar që nga orët e hershme të mëngjesit.

“Gjendja për momentin është më e menaxhueshme dhe stabile se dje. Sidomos dje, në orët e para të mëngjesit, u gjendëm në të gjithë komunën, veçanërisht në fshatin Fortesë, i cili ishte i mbuluar nga uji. Aktualisht, situata më emergjente është në Xërxë dhe Fortesë, mirëpo edhe fshatrat e tjerë si Gexha, Ratkocë, Radosta dhe Cifllakë kanë kërkuar ndihmë dhe ne kemi intervenuar,” tha Besmire Bytyqi, drejtoreshë e Drejtorisë për Emergjenca dhe Shpëtim.

Sipas drejtoreshës për Emergjenca dhe Shpëtim, në fshatin Xërxë janë evakuuar disa familje.

“Dje i kemi evakuuar dy familje. Gjithashtu edhe sot, pak para një ore, kemi tërhequr nga shtëpitë e tyre dy familje të cilat kanë mbetur brenda dhe në pamundësi për të dalë. Falënderoj shumë Forcën e Sigurisë së Kosovës për bashkëpunimin,” tha Bytyqi.

Përveç amvisërive, dëme të konsiderueshme janë evidentuar edhe në të mbjellat e vjeshtës.


Go to TOP