Regjimi taliban e kthen sistemin e “ndëshkimit hakmarrës” në Afganistan

Pas ekzekutimit të tre vrasësve të dënuar së fundmi në incidente të ndara, regjimi taliban e ka dërguar një mesazh shumë të qartë publik: se e ka kthyer në Afganistan qëndrimin famëkeq të drejtësisë hakmarrëse, apo ndëshkuese, të njohur si “kisas”.

Kisas, apo dënimet ndëshkuese islamike, ku mund të përfshihen edhe vrasjet prej duarve të familjeve të viktimave, kanë qenë tipar dallues i talibanëve kur ata ishin në pushtet në Afganistan për herë të parë nga viti 1996 deri më 2001.

Grupi militant islamist është zotuar se do ta kthejë këtë praktikë tani, pas plot 20 vjetëve, në përpjekje për të vendosur rregulla më të rrepta të interpretimit të ligjit islamik nga ana e tij.

Vrasja me armë në publik e tre burrave në dy javët e fundit tregon se regjimi taliban bëri premtime, jo kërcënime.

Ata u ekzekutuan nga trashëgimtarët e viktimave të tyre para një turme shikuesish, një shfaqje famëkeqe që i ngjante ekzekutimeve nga regjimi i kaluar taliban nëpër stadiume.

Më 22 shkurt, Syed Jamaluddin dhe Gul Khan, u vranë me armë zjarri brenda një stadiumi futbolli në provincën juglindore, Ghazni.

“Njëri u qëlluan tetë herë, derisa tjetri i mori gjashtë plumba”, tha për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë (REL) një dëshmitar i rastit, i cili kërkoi të mbetej anonim.

Disa ditë më vonë, më 26 shkurt, një burrë i paidentifikuar e qëlloi për vdekje Nazar Mohammadin brenda një stadiumi të sportit në provincën veriore, Jawzjan. Qitësi po hakmerrej për vdekjen e vëllait të vet, Khal Mohammad, para dy vjetëve.

Format e tilla të drejtësisë, të cilat përfshijnë ndëshkimet kisas dhe hudud siç janë, amputimet për krime më të vogla, bëhen ndaj kryerësve të krimeve dhe shkeljeve që konsiderohen si tejkalim i kufijve të Zotit.

Shirin Khan (majtas) e vret me Kallashnikov Dur Mohammadin (në tokë) në lindje të Afganistanit më 9 shkurt 1996. Ky ishte ndër ndëshkimet e para kisas që u krye gjatë kohës kur talibanët ishin për herë të parë në pushtet nga 1996-2001.
Shirin Khan (majtas) e vret me Kallashnikov Dur Mohammadin (në tokë) në lindje të Afganistanit më 9 shkurt 1996. Ky ishte ndër ndëshkimet e para kisas që u krye gjatë kohës kur talibanët ishin për herë të parë në pushtet nga 1996-2001.

Ekzekutimet e fundit nuk janë të parat prej se regjimi taliban u kthye në pushtet.

Në dhjetor 2022, pak muaj pasi lideri i talibanëve, mulla Haibatullah Akhundzada, urdhëroi kthimin e ndëshkimeve islamike, një vrarës i dënuar u qëllua për vdekje nga babai i viktimës së tij, para qindra njerëzve në provincën perëndimore, Farah.

Qershorin e kaluar, një burrë i dënuar për vrasjen e pesë njerëzve u ekzekutua në lindje të provincës Laghman, sipas regjimit taliban, i cili nuk tregoi se si u krye ekzekutimi i tij.

Prej se Akhundzada e dha urdhrin, talibanët i kanë goditur me kamxhik, me gurë apo i kanë amputuar pjesët e trupit të qindra njerëzve për krime siç janë, vjedhja dhe tradhtia bashkëshortore.

Ekzekutimet dhe ndëshkimet janë kundërshtuar dhe dënuar nga afganët dhe shtetet e jashtme. Ekspertët e kanë vënë në dyshim vlefshmërinë e tyre sipas ligjit islamik dhe thonë se talibanët po i përdorin ato kryesisht për të përhapur frikë.

Ligji islamik i Sheriatit mund të zbatohet vetëm si pjesë e një kornize qeverisëse gjithëpërfshirëse nga një Qeveri e ligjshme që është përgjegjëse para popullit, sipas dijetarëve islamikë afganë.

“Gjykatësit të cilët marrin aktvendime për ndëshkime të tilla duhet patjetër të jenë të famshëm për drejtësinë e tyre dhe të kenë njohuri të thella”, tha profesori Fazluminullah Mumtaz, i cili është ekspert i jurisprudencës islamike.

Ai shtoi se gjykatësit “janë të detyruar të kenë njohuri të plotë të aspekteve të jurisprudencës dhe të sheriatit në lidhje me dënimet dhe zbatimin e tyre”.

Kështu nuk ndodh nën sundimin taliban, i cili e ka shkatërruar gjyqësorin afgan, qeveria e të cilit nuk njihet nga asnjë vend.

Ky grup militant i ka shfuqizuar, apo pezulluar të gjitha ligjet e zbatuara nga qeveria e kaluar në Afganistan, e cila e kishte lejuar ligjin islamik me Kushtetutë, derisa në të njëjtën kohë i përmbahej normave ligjore ndërkombëtare.

Prej se e mori pushtetin më 2021, regjimi taliban i ka shkarkuar mijëra gjykatës, prokurorë publikë dhe avokatë, dhe i ka zëvendësuar me njerëz të vet besnikë, shumica e të cilëve janë klerikë.

“Qeveria talibane nuk ka madje as ligjshmëri dhe vepron në një vakum ligjor”, tha për Radion Azadi eksperti ligjor afgan, Subhanullah Misbah.

Stadumi Farah ku talibanët e mbajtën ekzekutimin e parë publik më 2022, pasi e rimorën pushtetin në Afganistan në gusht 2021.

Këmbëngulësia e këtij grupi për ta zbatuar versionin e vet të sheriatit shihet si njëra prej arsyeve pse regjimi taliban i ka kundërshtuar fuqishëm kërkesat nga afganët dhe nga bashkësia ndërkombëtare për lejimin e themelimit të një qeverie gjithëpërfshirëse.

Refuzimi për t’u përkulur, pavarësisht se fillimisht ishte zotuar se do t’i përmbahej ligjit ndërkombëtar, i ka dhënë regjimit taliban monopoli në pushtet, megjithëse në të njëjtën kohë e ka rritur izolimin e tij globalisht dhe ka krijuar kriza politike dhe ekonomike në vend.

“Askush në Afganistan nuk do ta kundërshtojë zbatimin e sheriatit, por talibanët së pari duhet t’i plotësojnë parakushtet për zbatimin e ligjeve të tilla. Zbatimi i ndëshkimeve kapitale tani vetëm sa do të përhapë frikë në shoqëri”, tha Misbah.

Edhe qeveria e kaluar e kishte lejuar ndëshkimin kapital por në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe dënimet me vdekje – kryesisht përmes varjes – kryheshin në burgje.

Por, kthimi i ekzekutimeve publike i ka alarmuar Kombet e Bashkuara dhe grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Ekzekutimet publike janë formë e trajtimit apo ndëshkimit mizor, çnjerëzor, apo përçmues”, tha Jeremy Laurence, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Disa aktivistë për të drejtat e njeriut e kanë kundërshtuar dënimin me vdekje globalisht dhe shpesh e kundërshtojnë zbatimin e tij, përfshirë në vendet myslimane ku ai i ka rrënjët apo edhe frymëzohet nga sheriati.

Arabia Saudite, vend suni, dhe Irani vend shiit, janë në mesin e vendeve që kryejnë më së shumti ekzekutime në botë. Të gjitha ekzekutimet, përfshirë kisas, në këto vende arsyetohen sipas interpretimit të ligjit islamik nga ana e tyre.

Graeme Smith, analist afgan në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, thotë se qasja e talibanëve ndaj drejtësisë ka fituar pak ligjshmëri në mesin e afganëve, posaçërisht në zonat rurale në jug dhe në lindje të vendit, ku grupi taliban kishte luftuar kundër Qeverisë properëndimore nga viti 2002 deri në vitin 2021.

Smith thotë se kjo ndodh sepse disa afganë – të zemëruar nga korrupsioni i madh në sistemin gjyqësore të udhëhequr nga Kabuli – zgjodhën që t’ua linin në dorë kryengritësve t’i zgjidhnin rastet e tyre.

“Organizatat për të drejtat e njeriut me të drejtë do t’i dënojnë këto ekzekutime”, tha ai. “Megjithatë, ia vlen të kujtohet historia e freskët e Afganistanit, ku shumë ekzekutime ndodhën fshehurazi”, shtoi ai.

Pasi një qeveri republikane u rrëzua nga një grusht shtet komunist në prill të vitit 1978, në Afganistan ndodhën shumë raste të vrasjeve jashtëgjyqësore nën sundimin e qeverive komuniste, islamiste dhe properëndimore.

“Shumë aspekte të asaj trashëgimie të dhunshme ende nuk janë zbuluar, teksa gazetarët dhe hulumtuesit e tjerë po sigurojnë qasje në ish-fushëbeteja”, tha Smith.

Go to TOP