Reagon Hajdari: Nuk i kam borxh askujt
Një shpërthim ka ndodhur sot në veturën private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari.
Hajdari përmes një postimi në Facebook ka reaguar duke thënë se nuk i ka borxh askujt.
“Sot kam qenë objekt i një shpërthimi në veturën time – një akt që ngre dyshime të forta për tentativë atentati nga persona ende të panjohur për mua. Dua ta bëj të qartë se nuk i kam borxh askujt, as nuk i kam hyrë dikujt në hak ndonjëherë”, ka shkruar ai.
Tutje Hajdari ka thënë se ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në shërbim të vendit.
“Nuk kam frikë. Asnjëherë nuk kam pasur dhe as tani nuk do të lejoj të më ndalë frika. Kam qenë dhe do të jem gjithmonë në shërbim të vendit tim, me ndërgjegje të pastër dhe përkushtim të plotë”.
Sipas tij, dikujt po i pengon e vërteta, drejtësia dhe puna tij e ndershme.
Ai ka theksuar se sa sado të përpiqen, nuk do të ta thyejnë, sepse sic ka theksuar ai përballë ligësisë, ka zgjedh të qëndroj drejt.
“Ju falënderoj nga zemra të gjithëve ju që sot më keni shkruar, më keni thirrur dhe më keni qëndruar pranë. Mbështetja juaj më jep forcë. Ne nuk ndalemi!”, përfundon reagimi i tij.
Ndryshe ngjarja ka ndodhur në parkingun e administratës brenda hapësirave të QKUK-së, në rrethana ende të paqarta. /Kosova.info/
