Raste të dhunës në familje në rritje, trajtohen më shpejtë

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Gjyqësor u bë e ditur se gjatë vitit 2025 u trajtuan 1,013 raste të dhunës në familje.

Koordinatori për rastet e dhunës në familje, gjyqtari Dardan Kadolli, theksoi se ka mungesë raportimi nga institucionet zbatuese për zbatimin e masave të caktuara ndaj personave.

“Ka një shkëputje mes vendimit kur lëshohet masa dhe raportimit nga institucionet shëndetësore, dhe shpeshherë nuk e dimë nëse masa e trajtimit psikosocial po zbatohet, sepse nuk raportohet dhe mbetet në iniciativë të gjyqtarit të interesohet”, tha ai.

Sipas tij, analizat e ekspertëve tregojnë mungesë koordinimi institucional për zbatimin e masave të gjykatës.

“Ka pasë raste ku gjykata në përgjithësi kanë lëshu vendime, mirëpo ka munguar trajtimi institucioneve të tjera, në këtë rast është urdhëruar masa të caktuara nga gjyqtarët, nga shërbimet e tjera, policia nuk ka mbikëqyr rastin si dhe nëse janë lëshu masa tjera në raport me kryesin që kanë të bëjnë me masa të trajtimit psikiatrik. Ta zëmë nga institucionet shëndetësore nuk ka pasë përcjellje të rastit”, theksoi ai.

Kadolli përmendi përparimin që ka sjellë fillimi i mbikëqyrjes elektronike. Sipas tij, kjo ka ndiku që me vendosjen e çipave që janë përcaktuara.

“Ka ndikuar te kryesit e veprave që ata janë në mbikëqyrje, sigurohet të ketë siguri për viktimat si dhe gjykatat të përcjellin përmes policisë rastet kur janë shkel ato raste”, tha ai.

Kadolli gjithashtu theksoi se nuk janë shënuar tejkalime të afateve kohore për trajtimin e këtyre rasteve. 

“Pengesa kryesore që mund të dërgojnë te zvarritja e rasteve apo prolongimi i zgjidhjes ka të bëjë me sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë. Në vitin 2025 për veprën penale dhunë në familje janë pranuar gjithsej 1,013 raste kur janë zgjidhur 1,032. Të mbetura janë 900, efikasitet 102 për qind, pra thirret për efikasitet mjaft të madh. Kurse për rastet me urdhërmbrojtje janë pranuar 1,126 raste kurse të zgjidhura 1,131 raste. Edhe këtu efikasiteti është mbi 100 për qind”, pohoi Kadolli.

Ndërsa gjyqtari Agim Maliqi, Komisioner për Mbikëqyrjen e Procesit të Përgjimeve të Komunikimeve, raportoi se ligjet që rregullojnë përgjimet po zbatohen.

Në fund, kryetarja e Komisionit për Çështje Normative, Drita Rexhaj, tha se Komisioni ka tejkaluar objektivin vjetor, duke miratuar 25 akte normative, më shumë se objektivi i paraparë prej 19 aktesh.


Go to TOP