Raportimi i drejtorit të policisë po vazhdon me debate e akuza në Komision

Me akuza po përcillet raportimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes. Anëtarët e këtij komisioni kërkuan informacione rreth transferimeve e ndryshimeve që janë bërë në njësinë e veçantë të hetimeve.

Derisa nga opozita ngritën akuza se këto lëvizje janë bërë për të fshehur, siç tha kryesuesi i komisionit, “aferat e ekzekutivit”.

“Me shkarkimin e Shemsi Hazirit në krye të njësisë së veçantë të hetimeve erdhi Besim Berisha. Me ardhjen në krye të shefit të ri, në njësinë e veçantë të hetimeve nis një fushatë presioni. Në emër të strukturimit në njësi filloi një fushatë kundër atyre që po hetojnë aferat e qeverisë. Kemi rastin e Martin Berishaj e Nagip Krasniqit, disa janë në burg disa të akuzuar. Hetuesit janë duke u zhvendosur janë duke ardhur të tjerë. Kjo është e vërtetë. Unë nuk jam duke e akuzuar askënd. Veç le të thotë drejtori për ndonjërën që nuk është ashtu”, tha kryesuesi i komosionit, Bekë Berisha.

Por akuzat i mohoi i pari i policisë.

“Nga cilësia e drejtorit ju njoftoj se nga kjo njësi nuk ka pasur largime apo transferime përveç major Shemsi Hazirit, i cili është transferuar në kuadër të reformave. Unë ju garantoj me gjithë autoritetin tim që katër lëvizjet që janë bërë, janë bërë me kërkesën e policëve. Nuk kanë pasur presion. Ju garantoj se shumica e kërkesave ka qenë për nevoja të tyre personale. Kjo njësi dikur ka pasur një shtesë prej 300 eurove e cila është ndaluar pastaj. Ndoshta edhe kjo është një prej çështjeve se pse policët kërkojnë të largohen nga njësia”, tha drejtori i policisë.

Reagime pati edhe nga anëtarë tjerë të komisionit.

Pozita i doli në krahë drejtorit Hoxha.

“Është hera e parë që i bëhen kësi akuza një drejtori të policisë, nuk e di edhe prokurori a kish qenë në gjendje ta bëjë një gjë të tillë. Nuk është detyrë e komisionit që të lëshohet në këtë nivel. Nuk është në rregull që ne t’i tregojmë drejtorit të policisë edhe se si vlerësohen policët. Me këtë qasje nuk jemi duke i ndihmuar as policisë as atyre qa po i përmend ti”, tha deputeti i LVV-së, Enver Dugolli.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni kërkoi që prokuroria të merret me akuzat e ngritura në këtë mbledhje.

“Unë jam shumë i interesuar të dëgjojë nga drejtori se si i adreson këto çështje. Mua më intereson e vërteta. Nëse këto qëndrojnë atëherë me të vërtetë është shqetësuese. Nuk mundemi të kalojmë përtej këtyre pretendimeve dhe ta heshtim këtë temë. Nëse këto qëndrojnë, nuk është vetëm problem i policisë por edhe problem shtetëror. Pas këtij takimi prokuroria duhet të merret ose me kryetarin për shpifje ose me drejtorin e policisë”, tha deputeti Quni.

Go to TOP