Hoti: Ne jemi ende brenda afateve kushtetuese
Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se shpreson që para datës 7 gusht të arrihet një marrëveshje me LDK-në për bashkëqeverisje, nëse ky subjekt politik zgjedh çështjet e brendshme.
“Ne jemi ende brenda afateve kushtetuese. 7 gushti është data e fundit. Presidentja veçse e tha që do ta caktojë të premten datën. Shpresoj shumë që brenda LDK-së para datës 7 gusht t’i përfundojnë zhvillimet e tyre të brendshme. Mundësia që të arrihet një bashkëpunim besoj që mund të ndodh para 7 gushtit”, tha ai.
Hoti citoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij pas fitores së rezultateve të zgjedhjeve të fundit, i cili kishte thënë se shpreson në kandidat konsensual për president.
“Ne nuk kemi interes të shkojmë në zgjedhje edhe një herë. Në asnjë variant nuk do të donim të shkonim, por zgjedhjeve nuk i ikim sepse qytetari është ai që e merr vendimin. Me rezultat të njëjtë s’pritet të ndodh diçka tjetër”, tha ai.
“Nëse është dëshira e jona me vazhdu me detyra, le të provojnë ta zgjedhin presidentin, ta propozojnë kandidatin le të kalon dhe s’kemi më në detyrë, jemi qeveri stabile”, tha ai, duke folur për partitë e tjera politike.
Hoti ka folur edhe për ndikimin e mos formimit të institucioneve në aspektet ekonomike në vend.
“Buxheti ka pasur të rishikohet në korrik. Ministria ku unë udhëheq është me fushëveprimtari më të madhe në Republikën e Kosovës sepse i ka edhe pensionet, socialet, veteranët dhe me buxhet 1 miliardë euro, pra ¼ e buxhetit të Kosovës. Ndërkaq unë (ministria që udhëheq) nuk jam në listë të buxhetit, sepse s’ka rishikim. Pra ne po rrezikojmë edhe pensionistët, personat që marrin sociale dhe të tjerët”, tha Hoti.
Hoti thotë se nuk ka zhvillime të reja rreth krijimit të institucioneve
Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka thënë se nuk ka ndonjë zhvillim të ri politik, nga negocitatat e LVV-së me partitë e tjera politike për krijimin e institucioneve të reja.
“Deri më sot janë të gjitha deklaratat që i ka dhënë kryeministri Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, ato që i keni parë ju dhe unë, janë të fundit që kanë ndodhur. Nuk ka zhvillime të reja, zhvillimi i ri që është prit me ndodhë ka qenë ky me LDK-në, por që shpresoj se është pauzu dhe jo anulu, sepse LDK ka çështje të brendshme që duhet t’i zgjidhë”, ka thënë ai në një intervistë dhënë për RTK Prime.
Sipas Hotit, LVV nuk mund të bëjë kompromis sepse votat e qytetarëve e kanë përcaktuar vullnetin e tyre politik.
“Së pari kompromisi dhe marrëveshja mendoj që nuk janë e njëjta gjë. Nuk njihet Lëvizja Vetëvendosje apo kryeministri për kompromise. Në veçanti kur ti e ke 51% në atë kohë, tash është 47% të votës së qytetarëve të Kosovës, ti edhe nëse do me bë kompromis apo një marrëveshje të tillë nuk ta lejonë qytetarët, sepse qytetarët ty të kanë thënë: “Të lutem qeverise vetë, udhëhiqe vetë”. Unë jam i bindur që këtë kanë me gjetur një mirëkuptimnë raport me presidentin sepse zgjedhjet kemi me i fitu, janë mbajtur me 14 shkurt dhe dihen rezultatet e saj. Kryeministri Kurti i ka ftuar edhe Partinë Demokratike të Kosovës, edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe vazhdon me i ftuar, vazhdon me i thirrur takimin e radhës së tyre”, ka thënë Hoti.
“Kompromisi në të kaluarën edhe nëse ka ndodhur, ka mund me ndodhë për shkak se partitë politike i kanë pasur prapë se prapë të njëjtat vota, për shembull 20-22-23%. Tash edhe po të duam të bëjmë kompromis…51%-shi i asaj kohe nuk të ka lejuar ty me bë një marrëveshje. Sepse vetë qytetari nuk t’i ka dhënë as 40 apo 45%, t’i ka dhënë 51, pra mbi 50, për me qeverisur vetë vendin”, tha ai.
Ai ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës për deklarimin e tyre se ata kanë vendosur të qëndrojnë në opozitë, duke thënë se kanë përgjegjësi para qytetarëve.
“Ka përgjegjësi politike, morale ndaj qytetarëve, po edhe kushtetuese me i formuar institucionet. Kushtetuta e thotë shumë qartë që ne duhet t’i kemi 80 deputetë për me formuar presidentin dhe nuk mundesh ti thjesht me dalë me thënë ‘unë rri në opozitë e unë s’kam asnjë lloj përgjegjësie”, ka thënë Hoti.
