Rama: Tuneli i Kurrizit shndërrohet në hapësirë urbane moderne, të sigurt dhe kreative

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar transformimin e plotë të Tunelit të Kurrizit, duke e përshkruar si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit urban dhe përmirësimit të jetës së përditshme për qytetarët.

“Kurrizi nuk do të kundërmojë më,” u shpreh Rama, duke bërë të ditur se është instaluar një sistem i ri dhe modern i ventilimit që garanton ajër të pastër dhe qasje të sigurt për të gjithë.

Tuneli tashmë është funksional jo vetëm për automjete, por edhe për këmbësorët, duke krijuar një hapësirë të qasshme dhe të sigurt për qytetarët. Hapësirat publike të cilat më parë ishin të uzurpuara janë liruar dhe në vend të tyre janë vendosur tualete publike moderne e të aksesueshme.

Ndriçimi i qëndrueshëm është gjithashtu pjesë e projektit, duke garantuar siguri gjatë orëve të mbrëmjes. Por transformimi nuk ndalet me kaq – Tuneli i Kurrizit është konceptuar si një hapësirë unike artistike, ku do të organizohen ekspozita dhe do të ekspozohen vepra arti që pasqyrojnë identitetin kulturor të kësaj zone simbolike të Prishtinës.

“Ky është vetëm fillimi i një transformimi të madh, që do ta kthejë Kurrizin në zemrën urbane të kreativitetit dhe komunitetit,” theksoi Rama.

Ky projekt është pjesë e vizionit të gjerë për një Prishtinë më funksionale, të gjallë dhe të orientuar drejt qytetarit. /Kosova.info/

Go to TOP