Dëme në kulturat bujqësore e pemishte, fermerët kërkojnë ndihmë
Pas stuhisë së djeshme të breshrit dhe dëmeve të jashtëzakonshme në prodhimtarinë bujqësore në komunën e Istogut, sot gjatë gjithë ditës në Kovrragë dhe disa fshatra përreth ka qëndruar ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja.
Pasi është njoftuar për dëmet e shkaktuara Muja tha se shumë shpejt do të merren masat e nevojshme për sanimin e kësaj gjendjeje.
“Ne do të punojmë paralelisht në dy drejtime, e para është aspekti procedural që e njeh kryetari dhe e dyta me të gjithë drejtorët, gjithë njerëzit më të rëndësishëm të Ministrisë së Bujqësisë sot janë bashkë me mua dhe nga java tjetër do ti propozojmë masat se në çfarë forme mundemi me u ndihmu të gjithë fermerëve”, ka thënë Muja.
Breshëri i ka dëmtuar pothuajse të gjitha kulturat tjera bujqësore thonë fermerët.
“As 5 min nuk ka dhënë afat. Ka ardhur me erë, unë për 65 vjet hala këtë kiamet si thonë nuk e kam pa në fshatin tonë. Dëmet po shihen që janë bë do të thotë jo për një vit por për shumë vjet s’kemi me mujt me ardh në vete në bazë të dëmeve që na i ka bë sivjet”, ka thënë Afrim Salihu, fermer nga Kovrraga.
“Sivjet kemi pritë që të kemi rezultatet të mira, kemi punuar shumë prej fillimit të pranverës deri më tani jemi mundu me familje me punu po kjo ka ndodhë tash edhe presim nga qeveria të na dali në ndihmë, kemi investuar shumë”, ka thënë Xhavit Salihu.
Kosovë Blakaj nga Kovrraga e Istogut sivjet po i priste së paku 10 tonë mollë nga gjithsejtë 5 hektarë, por stuhia e breshrit që ra dje ia dëmtoi gjithë prodhimtarinë e tij pemëtore.
Ai thotë se prodhimi i është dëmtuar 100 % e po ashtu edhe pemishtja vështirë që mund të jetë frytdhënëse në të ardhmen sepse krahas frytit të sivjetme janë dëmtuar edhe trungjet dhe degët e tyre.
“Dëmet nuk mund të them 100% por munden me qenë 120% për shkak se i ka dëmtu përveç frutave i ka dëmtua edhe trupat do të thotë degëzat e tyre se ka qenë fatkeqësi e madhe kjo punë”, ka thënë Kosovë Blakaj, fermer.
Breshëri nuk i ka kursyer as fasadat e shtëpive të banorëve të këtushëm duke i thyer xhama dhe dëmtuar edhe veturat e tyre.
“Ka dëmtuar shtëpi, ka dëmtuar vetura, ka dëmtuar gjithçka që kemi pas. Për momentin është 100% çdo gjë e shkatërruar por po presim ndonjë vlerësim prej shtetit”, tha ai.
E ndërkaq edhe kryetari i komunës së Istogut Ilir Ferati i cili njoftoi për ngritjen e komisionit emergjent për vlerësimin e dëmeve kërkoi nga ministri Muja reagim të menjëhershëm të qeverisë, në mënyrë që fermerët e kësaj anë të kompensohen për këto dëme siç u shpreh ai jashtëzakonisht të mëdha.
