Rama: Prishtina qëndron krah aktiviteteve që frymëzojnë jetë të shëndetshme dhe momente familjare
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar rëndësinë e aktiviteteve që jo vetëm promovojnë stil jetese të shëndetshëm, por edhe sjellin bashkë familjet dhe brezat e ndryshëm në momente të veçanta dhe të paharrueshme.
Në kuadër të Prishtina Outdoor Festival, Rama veçoi një nga aktivitetet më të veçanta të këtij edicioni – lundrimin me kayak, një përvojë që sipas tij ofron qetësi, adrenalinë dhe lidhje të fortë me natyrën.
“Jemi krenarë që, si kryeqytet, po qëndrojmë krah aktiviteteve që jo vetëm promovojnë një stil jetese të shëndetshëm, por edhe bashkojnë brezat dhe krijojnë momente të paharrueshme për fëmijët, të rinjtë dhe prindërit”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se ky festival po rikujton potencialin e madh të hapësirave të jashtme të Prishtinës për t’u shijuar ndryshe – përmes sportit, lëvizjes dhe energjisë pozitive.
Prishtina Outdoor Festival është duke u shndërruar në një ngjarje të rëndësishme për promovimin e jetës aktive, natyrës dhe komunitetit, me aktivitete që përfshijnë të gjitha grupmoshat dhe krijojnë atmosferë dinamike në kryeqytet. /Kosova.info/
