Rama: Prishtina është më e pasur falë pensionistëve tanë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar rëndësinë e kujdesit dhe respektit për pensionistët duke e cilësuar si një obligim moral dhe qytetar të kryeqytetit ndaj gjeneratave që kanë kontribuar për ndërtimin e tij.
Në një takim të zhvilluar me disa prej pensionistëve të kryeqytetit, Rama u shpreh se institucionet komunale do të vazhdojnë të punojnë për t’i bërë ata të ndihen të vlerësuar, të dëgjuar dhe të mbështetur me veprime konkrete, e jo vetëm me fjalë.
“Pata kënaqësinë dhe privilegjin të takoja disa prej pensionistëve tanë, njerëzit që me punën, mundin dhe sakrificat e tyre kanë ndërtuar e mbajtur gjallë këtë qytet. Çdo fjalë e tyre është mësim, çdo histori është pasuri e gjallë e këtij qyteti”, tha Rama.
Ai u falënderoi për kohën, buzëqeshjen dhe urtësinë që ndajnë me komunitetin duke shtuar se “ky qytet është më i pasur falë jush”. /Kosova.info/
