Rama: E mbështesim protestën e nesërme, trafiku urban dhe parkingjet, falas

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e nesërme më 7 gusht, në mbështetje të drejtësisë dhe vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një reagim publik, Rama theksoi se Kosova është më shumë se një shtet – është amaneti i dëshmorëve, plagëve të luftëtarëve dhe qëndresës së një populli që zgjodhi lirinë.

“Vlerat e luftës së UÇK-së janë themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë,” tha Rama duke shtuar se mirënjohja për sakrificat e luftës nuk është zgjedhje, por obligim kombëtar.

Rama njoftoi gjithashtu për masat e ndërmarra nga Komuna e Prishtinës për të lehtësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë. Transporti urban do të jetë falas për të gjithë qytetarët, ndërsa do të ofrohet parking falas prapa Pallatit të Rinisë, nga ora 16:00 deri në 18:00, për autobusët e protestuesve.

Ai theksoi se në kuadër të kabinetit të tij, është krijuar për herë të parë një sektor i veçantë për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, i udhëhequr nga Sylë Vitia, veteran i UÇK-së, për të mbrojtur të drejtat dhe zërin e atyre që sollën lirinë.

“Respekti për luftën nuk është fjalë. Është përgjegjësi dhe vepër,” deklaroi Rama duke e mbyllur thirrjen e tij me mesazhin:
“Bashkë për drejtësi. Bashkë për liri. Bashkë për të vërtetën tonë!”. /Kosova.info/

Go to TOP