Rama pret artistin Skënder Strica: Arti që pasqyron shpirtin e tokës shqiptare

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, priti sot në një takim të veçantë artistin e njohur shqiptar, Skënder Strica. Ky takim ishte një mundësi për të vlerësuar kontributin artistik të Stricës, i cili përmes pikturës përcjell bukuritë natyrore dhe shpirtërore të trojeve shqiptare.

Veprat e tij janë një pasqyrim i peizazheve magjepsëse shqiptare, nga lugina e lumit Vjosa deri te fshatrat e thellë të veriut dhe jugut të Shqipërisë, duke përqafuar natyrën, dritën dhe përkatësinë kombëtare. Përmes përdorimit të ngjyrave dhe detajeve, Strica arrin të ngjallë emocione dhe ndjeshmëri për bukurinë autentike të vendit tonë.

Kryetari Rama u shpreh i nderuar për praninë e artistit dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së artit që ruan e zhvillon trashëgiminë kulturore.

“Komuna e Prishtinës shpreh mirënjohje për artistët që, si Skënder Strica, kultivojnë përkatësinë dhe trashëgiminë kulturore mbarëkombëtare, duke ruajtur lidhjen mes artit dhe identitetit tonë”, tha Rama.

Takimi përfundoi me zotimin për të forcuar më tej mbështetjen institucionale për artin dhe artistët që e lidhin Prishtinën me tërë hapësirën shqiptare përmes krijimtarisë. /Kosova.info/

Go to TOP