Rama: Po e zgjidhim përfundimisht problemin e kanalizimit në rrugët B dhe C

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se janë në fazën e realizimit të një intervenimi të rëndësishëm për zgjidhjen përfundimtare të problemit të kanalizimit në rrugët B dhe C.

Ky projekt parasheh hapjen e kanaleve të reja, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe evitimit të problemeve që kanë prekur banorët e kësaj zone për vite me radhë.

Rama ka bërë të ditur se Drejtoria e Investimeve Kapitale, e udhëhequr nga drejtori Sokol Havolli, bashkë me ekipin teknik, janë vazhdimisht në terren për të vlerësuar nga afër situatën dhe për të siguruar që puna të përfundojë sa më shpejt dhe në mënyrë efikase.

“Po punojmë për një Kryeqytet që kujdeset për çdo lagje dhe çdo banor. Ky investim do të sjellë zgjidhje afatgjatë për kanalizimin në këtë pjesë të qytetit,” ka deklaruar Rama.

Projekti pritet të lehtësojë jetën e banorëve të lagjes duke eliminuar një problem të kamotshëm që ka shkaktuar vështirësi sidomos gjatë reshjeve. /Kosova.info/


Go to TOP