Rama me akuza ndaj Dejona Mihalit: Të tregojë rolin e saj në çështjet e KEK-ut, energjisë dhe rezervave shtetërore

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar me kritika të ashpra ndaj Dejona Mihali duke ngritur një sërë pyetjesh lidhur me rolin e saj në disa çështje që, sipas tij, kanë qenë objekt i interesimit të institucioneve të drejtësisë.

Përmes një postimi publik, Rama pyeti Mihalin se pse, si person pa funksion shtetëror, ka pasur komunikime me ish-kryeshefin e KEK-ut për çështje operative dhe vendimmarrëse.

Ai po ashtu përmendi rastin e energjisë që lidhet me ambasadorin Martin Berishaj dhe kompaninë GEN duke pyetur pse Mihali është ftuar në prokurori në lidhje me këtë çështje.

Në reagimin e tij, Rama ngriti dyshime edhe për rastin e rezervave shtetërore duke deklaruar se emri i Mihalit përmendet në hetimet që lidhen me këtë proces.

“Dejona Mihajli, të ‘uroj ngushëllime’. Agjenda juaj përçarëse është shpërfaqur”, ka shkruar Rama duke shtuar se ka edhe shumë pyetje të tjera që, sipas tij, presin përgjigje.

Në fund të reagimit, kryetari i Prishtinës ironizoi edhe deklaratat e Mihalit lidhur me projektin e tramit elektrik duke theksuar se “trami elektrik nuk ka viza”, ndërsa shtoi se teknologjitë e tilla përdoren gjerësisht në vendet perëndimore.

Deklaratat e Ramës vijnë në kuadër të përplasjeve të vazhdueshme politike dhe debateve publike mes përfaqësuesve të pushtetit lokal në Prishtinë dhe zyrtarëve apo aktivistëve të afërt me pushtetin qendror. /Kosova.info/

Go to TOP