SHBA rishikon praninë ushtarake në Evropë, Hegseth me kritika ndaj NATO-s

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth ka kritikuar ashpër disa nga aleatët e SHBA-së në NATO dhe ka njoftuar një rishikim gjashtëmujor të pranisë së forcave amerikane në Evropë.

“Është një rishikim që disa vende do të dështojnë dhe të tjera do të kalojnë me nota të shkëlqyera”, tha ai në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, duke përmendur aleatë që sipas tij kanë qenë “duke përfituar pa kontribuar”.

Ai gjithashtu kritikoi shtetet anëtare që kanë vendosur kufizime në ndihmën për forcat amerikane gjatë luftës me Iranin.

Njoftimi vjen pas vendimit të SHBA-së për të ulur angazhimet në NATO Force Model (NFM), një forcë me gatishmëri të lartë brenda aleancës.

Hegseth tha se synimi i rishikimit, të cilin e quajti NATO 3.0, është që “NATO të lëvizë shpejt dhe në mënyrë të pakthyeshme drejt udhëheqjes së Evropës” për sigurinë në kontinent.

SHBA kërkon që vendet anëtare të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe thotë se disa prej tyre nuk kanë treguar plan për arritjen e objektivit prej 5% të GDP-së, që përfshin 3.5% për mbrojtje dhe 1.5% për infrastrukturë të lidhur.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se shpenzimet e mbrojtjes janë rritur me 90 miliardë euro vitin e kaluar, një rritje prej gati 20%, dhe se evropianët po zëvendësojnë burimet që SHBA po i shkurton.

Detajet për uljen e angazhimeve amerikane nuk janë bërë publike, por pritet të përfshijnë kapacitete ajrore dhe detare.

Hegseth tha se kontributet e SHBA-së do të varen nga përmbushja e objektivave të shpenzimeve të mbrojtjes nga aleatët, duke shtuar se “kur aleatët nuk shpenzojnë me urgjencë, kontributet tona do të ulen”.

Ai nuk specifikoi cilat vende kishte parasysh. /Burimi: BBC/

Go to TOP