Murseli falënderon 11 mijë e 813 votues: Besimi juaj është obligim për të vazhduar angazhimin tim

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me numër 68, Gentrit Murseli, ka falënderuar qytetarët e Kosovës dhe diasporës për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Përmes një mesazhi publik, Murseli bëri të ditur se ka marrë 11 mijë e 813 vota duke e cilësuar këtë rezultat si një nder të madh, por edhe një përgjegjësi të shtuar për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve.

“Faleminderit nga zemra 11 mijë e 813 qytetarëve nga Kosova dhe diaspora, të cilët në zgjedhjet e 7 qershorit më besuan votën. Kjo përkrahje nënkupton besim në punën time, në angazhimin tim dhe në rrugën që kemi ndërtuar bashkë për më shumë se 10 vjet”, ka shkruar ai.

Murseli theksoi se mbështetja e marrë përbën një obligim për të ruajtur besimin e qytetarëve dhe për të vazhduar angazhimin në mbrojtjen e interesit të përgjithshëm.

Ai u zotua se do ta arsyetojë këtë besim me punë dhe angazhime konkrete çdo ditë duke nënvizuar se kauzat për të cilat është angazhuar nuk janë vetëm pjesë e proceseve zgjedhore, por një mision i përhershëm.

“Nga thellësia e zemrës, ju faleminderit”, përfundoi Murseli në mesazhin e tij drejtuar mbështetësve. /Kosova.info/

Go to TOP