Lladrovci: Shtatoret e heronjve Rexhep dhe Beqir Rexhepi, i japin hijeshi Qirezit, Drenicës dhe krejt Kosovës
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatoreve të heronjve Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi në fshatin Qirez, së bashku me familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të UÇK-së, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë.
Lladrovci vlerësoi kontributin e familjes Rexhepi dhe traditën e rezistencës së kësaj pjese të Drenicës duke theksuar se Qirezi ka qenë vatër e qëndresës kombëtare për më shumë se një shekull.
Sipas tij, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e rikonfirmoi këtë traditë atdhetare përmes përkushtimit dhe sakrificës së bijve të saj, ndërsa familja Rexhepi u rendit ndër të parat që iu bashkua radhëve të UÇK-së nën udhëheqjen e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Baca Brahim, si burrë i traditës, na priti me nderim në këtë solemnitet, ndërsa shtatoret e heronjve Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi i japin hijeshi Qirezit, Drenicës dhe mbarë Kosovës”, ka deklaruar Lladrovci.
Në fund, ai bëri homazhe për dëshmorët dhe martirët e kombit, duke shprehur nderim të veçantë për heronjtë Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi, si dhe për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Kosova.info/
