Rama: Gratë shqiptare, shtylla e identitetit dhe kulturës sonë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm të grave shqiptare në ruajtjen e identitetit dhe kulturës kombëtare ndër shekuj. Në një mesazh të publikuar me rastin e Ditës së Mësuesit dhe Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ai ka theksuar se gratë kanë qenë forca kryesore e edukimit dhe trashëgimisë sonë kulturore.
“Gratë shqiptare kanë qenë shtylla e identitetit dhe kulturës sonë, duke e ruajtur gjuhën dhe traditën brez pas brezi. Nga gjyshet dhe nënat tona te motrat Qiriazi, ato udhëhoqën ndryshimin, edukuan dhe frymëzuan, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë,” ka shkruar Rama.
Ai ka bërë thirrje për të nderuar sakrificën dhe kontributin e grave shqiptare duke veçuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në shoqëri. Mesazhi i tij vjen në një kohë kur përkujtohen mësuesit dhe gratë, duke reflektuar mbi rëndësinë e arsimimit dhe barazisë gjinore. /Kosova.info/
