Rama: Florian Dushi emërohet nënkryetar i Komunës së Prishtinës, do të mbulojë sektorët kyç të shërbimeve publike
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka emëruar Florian Dushin si Nënkryetar të Komunës së Prishtinës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Rama përmes një njoftimi në rrjetet sociale duke vlerësuar kontributin e Dushit si të jashtëzakonshëm.
Në pozitën e re, Dushi do të ketë përgjegjësi mbi Inspektoratin, Shërbimet Publike, Zyrën Ligjore dhe Administratën. Sipas Ramës, ky emërim është pjesë e strategjisë për forcimin e ekipit dhe sigurimin e një të ardhmeje më të mirë për kryeqytetin.
“Jam i bindur se kontributi i Florianit do të vazhdojë të jetë i padiskutueshëm edhe në këtë pozitë të re,” ka deklaruar Rama.
Dushi pritet të fillojë detyrën menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor qendror. /Kosova.info/
