Rraci kundër kërkesave për dorëheqjen e Abdixhikut: Çështjet e LDK-së diskutohen brenda shtëpisë, jo në media
Kryetari i degës së LDK-së në Klinë, Alban Rraci, ka reaguar ndaj kërkesave të fundit për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke i cilësuar ato si joetike dhe proceduralisht të papranueshme kur bëhen përmes mediave dhe rrjeteve sociale.
Sipas Rracit, thirrjet për dorëheqje mund të vijnë nga analistë, qytetarë apo simpatizantë të partisë, por jo nga drejtues të strukturave të rëndësishme të LDK-së pa i shfrytëzuar më parë forumet e brendshme partiake.
“Prej së largu, në studio televizive apo në rrjetet sociale, mund të kërkojnë dorëheqje analistët apo simpatizantët. Por kur një gjë e tillë vjen nga udhëheqës të dy degëve të fuqishme të LDK-së, si Peja dhe Lipjani, është e papritur, veçanërisht kur këto kërkesa kanë mundur t’i paraqesin sy më sy në forumet e partisë”, ka theksuar ai.
Rraci ka vlerësuar se kërkesat e bëra nga degët e Pejës dhe Lipjanit dobësohen edhe nga fakti se, sipas tij, rezultatet zgjedhore të LDK-së në këto komuna nuk kanë qenë në përputhje me potencialin politik që ato posedojnë.
Ai ka shtuar se debatet e tilla po zhvillohen në një moment të ndjeshëm politik, kur vendi pret krijimin e institucioneve të reja shtetërore.
“Çdo goditje ndaj lidershipit aktual të LDK-së e dobëson pozicionin e partisë në negociatat e mundshme për krijimin e institucioneve, por edhe në rolin e saj si opozitë e fortë”, ka deklaruar Rraci.
Në fund, ai ka bërë thirrje për unitet dhe diskutim të çështjeve të brendshme në organet e partisë.
“LDK-ja ka kryetar dhe ka kryesi. Duhet të ulemi dhe këto çështje t’i diskutojmë brenda shtëpisë”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/
