Kica-Xhelili thirrje për unitet në LDK: Reflektimi duhet të na bashkojë, jo të na copëtojë

Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka bërë thirrje për unitet brenda partisë në kohën kur janë shtuar debatet dhe kërkesat për përgjegjësi pas rezultateve zgjedhore.

Përmes një reagimi publik, Kica-Xhelili ka theksuar se LDK-ja ka nevojë për “unitet të sinqertë, të përgjegjshëm” duke vlerësuar se debati është i domosdoshëm, por nuk duhet të shndërrohet në burim përçarjeje.

“LDK-ja nuk është pronë e askujt. As e kryetarit. As e degëve. As e atyre që në përballjen tonë me pushtetin, kritikonin vetëm LDK-në”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, LDK-ja është një shtëpi politike që në momentet e vështira duhet të forcohet dhe jo të rrënohet.

“Po, rezultati kërkon reflektim. Por reflektimi duhet të na bashkojë, jo të na copëtojë. Fundja, përgjegjësi kemi të gjithë, njësoj”, ka theksuar Kica-Xhelili.

Ajo ka vlerësuar se Kosova po përballet me krizë institucionale, politike dhe në politikën e jashtme duke shtuar se në këto rrethana vendit i duhet një LDK e fortë dhe e qartë, e jo një parti e përfshirë në përplasje publike.

Nënkryetarja e LDK-së ka rikujtuar se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, në janar ka marrë votëbesimin e delegatëve në Kuvendin e partisë duke nënvizuar se debatet duhet të zhvillohen brenda strukturave partiake.

“Nuk e mbyll debatin përgjithmonë, por e përcakton rrugën: debati kryhet brenda”, është shprehur ajo.

Në fund, Kica-Xhelili u ka bërë thirrje strukturave dhe anëtarësisë që të ruajnë unitetin dhe të shmangin përçarjet duke theksuar se LDK-ja duhet të mbetet faktor stabiliteti për Kosovën.

“Prandaj, ju ftoj për unitet. Vetëm bashkë e të matur i bëjmë nder tre shkronjave historike që përfaqësojmë. Mos harroni: LDK ka qenë dhe do të mbetet vet Republika e Kosovës”, ka përfunduar ajo. /Kosova.info/


Go to TOP