Argjentina “fluturon” me rekordmenin Messi
Kampionët e Botës nuk ndalen. Argjentina ka arritur të marrë fitoren e dytë radhazi, duke mposhtur Austrinë në një ndeshje që ishte e gjitha taktike, në disa momente edhe lojë nervash. Vendimtar Leo Messi me dy gola, që i jep ekipit tri pikët dhe hyn në histori duke thyer rekordin e Kloses.
Argjentina e nis menjëherë në sulm me pasime vertikale, duke treguar qartë qasjen që do të kishte në këtë ndeshje. Zjarri ndizet që në minutën e 4-t, kur Lautaro Martinez fiton një penallti dhe Messi e merr përsipër.
Argjentinasi gjuan keq dhe humbet një shans të artë. Në minutën e 19-të, kapiteni ka një tjetër shans të artë, por fati sërish nuk është me të. Aksion fantastik i Lautaros, që në momentin e fundit gjen Messin, i cili nxjerr mbrojtësit jashtë lojë plot elegancë dhe godet, por portieri arrin ta ndalë.
Në të 32-ën, Messi ka një tjetër shans të artë, por sërish është i pafatë. Por vjen një moment që edhe fati nuk mund ta ndalojë një gjeni të tillë. Në të 39-ën argjentinasi merr një top nga e majta dhe lëshon një goditje “vdekjeprurëse” që i jep avantazhin.
Por jo vetëm kaq, sepse ky gol është i 17-ti në karrierën e tij në Botërorë, duke kaluar Klosen dhe u bërë shënuesi më i mirë i historisë së kompeticionit më të madh. Në pjesën e dytë Argjentina nis menaxhojë, por edhe Austria nuk kalon në aventurë, duke krijuar një balancë në fushë.
Në të 73-ën vjen shansi i parë i mirë për fraksionin e dytë me një kros të Messit nga këndorja dhe një gjuajtje me kokë të Gonzales, të cilit pak centimetra i mohojnë golin. Në minutat e fundit mesfushori ka një tjetër shans ideal, por bllokohet para se të lëshonte goditjen finale.
Messi nuk e ka thënë fjalën e fundit. sepse në të pestën shtesë tund sërish rrjetën dhe vulos fitoren 2-0. Argjentina merr tri pikët dhe siguron kualifikimin, teksa në ndeshjen e fundit do të kthehet “të shëtisë” ndaj Jordanisë po në “Arlington”. Austria duhet të luftojë në ndeshjen e fundit ndaj Algjerisë për kualifikimin.
REZULTATI LIVE
Argjentinë-Austri 2-0
Messi 39′, 90+4
