Abdixhiku: Durim dhe vullnet, LDK-ja do t’i tejkalojë llogaritë e vogla
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar të gjithë kryetarët e degëve, kryetarët e nëndegëve dhe veprimtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mbështetjen e dhënë ndaj tij në ditët e fundit.
Përmes një mesazhi publik, Abdixhiku tha se mbështetja e marrë, si në mënyrë publike ashtu edhe private, është më shumë sesa mund të kërkojë ai dhe vetë LDK-ja.
“Falënderoj, nga zemra, të gjithë kryetarët e degëve, kryetarët e nëndegëve dhe gjithë ata veprimtarë të pafund, për mbështetjen e dhënë sonte. Mesazhet e juaja mbështetëse, publike e private, janë më shumë se çfarë mund të kërkoj unë dhe LDK”, ka shkruar ai.
Abdixhiku theksoi se të gjithë janë kalimtarë në një mision më të madh dhe se forca e partisë qëndron te rrugëtimi i përbashkët.
Ai pranoi se anëtarësia e LDK-së është e shqetësuar, por bëri thirrje për qetësi dhe durim duke vlerësuar se sfidat aktuale do të tejkalohen me karakter dhe përkushtim.
“Ka momente kur padrejtësia duket më e madhe se mundi ynë; por janë pikërisht ato momente që e provojnë karakterin tonë. Ky karakter do t’i tejkalojë llogaritë e vogla; siç i ka tejkaluar gjithherë”, u shpreh Abdixhiku.
Në fund, ai falënderoi sërish mbështetësit e tij duke përcjellë mesazhin se vullneti dhe durimi janë çelësi për të arritur rezultatet e dëshiruara.
“Në jetë duhet pasur vullnet dhe durim; të mirat vijnë pastaj”, përfundoi ai. /Kosova.info/
