Quni: Synojmë evropianin, duhet të luajmë me besim për 60 minuta
Pivoti Luigj Quni është shquar me përkushtim e angazhim edhe në barazimin e rëndësishëm të Kombëtares së Kosovës në hendboll ndaj Holandës, të dielën në Prishtinë. Quni i realizoi dy gola, ndërsa dha kontribut të madh në mbrojtje e po ashtu në sulm duke krijuar hapësirë për lojtarët e tjerë.
Quni e vlerëson pikën e fituar, por thotë se në Prishtinë duhet të fitohen ndeshjet për kualifikim në Evropian.
“Jam jashtëzakonisht krenar për paraqitjen tonë dhe përpjekjet e ekipit. Megjithatë duke qenë se synimi ynë është kualifikimi në Kampionat Evropian, duhet të bëjmë hapin tjetër – të luajmë plot 60 minuta me besim dhe të sigurojmë dy pikët këtu në Prishtinë. Tifozët, të cilët në mbështesin në mënyrë fantastike në çdo ndeshje, nuk meritojnë asgjë më pak”, ka thënë Luigj Quni.
Ndeshja me Holandën, favoriten e grupit, ishte dramë e vërtetë. Kombëtares sonë i mungoi fati për fitore madhështore. Ndeshja përfundoi 33:33.
Atmosfera në “1 tetori” ishte e shkëlqyer, e po ashtu organizimi mori nota të larta.
“Dëshiroj të shfrytëzoj rastin të falënderoj Federatën e Hendbollit të Kosovës për punën e palodhshme e të vazhdueshme, e cila na mundëson të bëjmë atë që duam: të luajmë hendboll. Falënderimet e mia shkojnë për të gjithë, nga ata në zyrë, tek ata që përgatisin arenën për lojërat tona në shtëpi. Faleminderit shumë”, ka vazhduar Luigj Quni. /Kosova.info/