QKRMT kërkon të vizitohet ish-polici Spahiu i arrestuar në Serbi

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka kërkuar nga mekanizmat e pavarur monitorues lokal e ndërkombëtar që të vizitohet ish- zyrtari policor, Arbnor Spahiu, i arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor.

“Ish-zyrtari policor Arbnor Spahiu, deri sa po udhëtonte nga Gjermania më 07.06.2025 është arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Horgosh, me akuzë për përfshirjen në rastin “Banjska”, përkundër që i njëjti shumë kohë para rastit “Banjska” kishte dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës për të vazhduar jetën në Gjermani”, thuhet në komunikatën e QKRMT-së.

Kanë thënë se pasur parasysh raportet politike mes Kosovës dhe Serbisë, janë të shqetësuar për mungesën e informacionit rreth trajtimit dhe statusit të ish-zyrtarit policor. “Andaj me qëllim të parandalimit të torturës dhe çfarëdo forme të keqtrajtimit ndaj tij, përkatësisht marrjes së informacioneve të sakta rreth ndalimit dhe trajtimit të tij, QKRMT i është drejtuar me kërkesë zyrtare mekanizmave vendor dhe ndërkombëtare që të interesohen për gjendjen dhe trajtimin e tij”, thuhet tutje në këtë letër të kësaj qendre.

QKRMT ka kërkuar nga Komiteti i Helsinkit në Serbi për tu interesuar rreth rastit.

Po ashtu, kanë treguar se i janë drejtuar me kërkesë zyrtare edhe Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese – mekanizmin ndërkombëtar, që ka për mision monitorimin e vendeve të privimit nga liria, ku sipas tyre, ka rastisur që ky mision të jetë në vizitë në Serbi gjatë periudhës 15-21 Qershor 2025.

“QKRMT mbetet me shpresë që këta mekanizma do ta vizitojnë ish-zyrtarin policor të ndaluar në Serbi dhe do të njoftohemi zyrtarisht për statusin dhe gjendjen e tij”, thuhet në komunikatë.


Go to TOP