Havolli: Fillon faza e re e ndërtimit të rrugës “Bajram Bahtiri” në Gollak – Investim prej 3 milionë euro për lidhjen me Prishtinën

Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka njoftuar për fillimin e fazës së radhës në ndërtimin e rrugës “Bajram Bahtiri” – një projekt i rëndësishëm për zonën e Gollakut, me vlerë investimi afër 3 milionë euro.

Ky projekt përfshin zgjerimin e rrugës në tri korsi, ndërtimin e trotuareve për këmbësorë, instalimin e ndriçimit publik si dhe investime të konsiderueshme në rrjetin e kanalizimit, rrjetin kabllor dhe atë të ujërave atmosferike.

“Ky projekt është më shumë se një investim në infrastrukturë – është një hap konkret drejt përmirësimit të jetës së banorëve dhe lidhjes së fshatrave me pjesën urbane të kryeqytetit,” theksoi Havolli.

Banorët e zonës së Gollakut kanë pritur gjatë për këtë zhvillim, i cili pritet të lehtësojë qarkullimin, të rrisë sigurinë dhe të përmirësojë qasjen në shërbimet publike të Prishtinës. /Kosova.info/

Go to TOP