Putin: Rusia pezullon pjesëmarrjen në traktatin me ShBA-në për armët bërthamore

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se Rusia do ta pezullojë pjesëmarrjen në traktatin me Shtetet e Bashkuara që kufizon arsenalin strategjik bërthamor të të dyja palëve.

“Në këtë aspekt, jam i detyruar të njoftoj se Rusia është duke e pezulluar pjesëmarrjen në traktatin për armët strategjike”, ka thënë Putin në fjalimin para kombit.

Ai ka thënë se Rusia nuk po tërhiqet nga marrëveshja, mirëpo vetëm po e pezullon pjesëmarrjen.

Putin ka thënë, po ashtu, se Rusia duhet të jetë e gatshme që të testojë armët bërthamore, nëse Shtetet e Bashkuara e kryejnë të parat një testim të tillë.

I ashtuquajturi START-i i Ri, është traktati i vetëm për armët bërthamore në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, i cili është zgjatur për pesë vjet më 2021.

I nënshkruar fillimisht më 2010, ky traktat ua kufizon palëve posedimin e kokave bërthamore me rreze të gjatë në 1.550, shifër më e vogël sesa ajo që ka qenë në marrëveshjen fillestare.

Putin: Perëndimi po e kërcënon ekzistencën e Rusisë me luftën në Ukrainë

Në fjalimin që zgjati mbi dy orë para kombit, Putin është zotuar se do të vazhdojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe e ka akuzuar aleancën e NATO-s për nxitje të konfliktit, me “besimin e gabuar” se mund ta mposhtë Rusinë.

I rrethuar me flamuj rusë, Putini i është drejtuar kombit duke thënë se Rusia “do t’i zgjidhë me kujdes detyrat që ka para vetes”.

Putini ka thënë se Rusia ka bërë gjithçka për ta shmangur luftën, mirëpo Ukraina, e përkrahur nga Perëndimi, ka planifikuar që ta sulmojë Krimenë.

Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014, ndonëse ky veprim nuk njihet nga Perëndimi.

Putin ka thënë se Perëndimi e ka lëshuar xhindin nga shishja në disa rajone në botë, për të nxitur kaos dhe luftë.

“Vetë njerëzit e Ukrainës janë kthyer në pengje të regjimit të Kievit dhe organizatorëve perëndimorë, të cilët e kanë pushtuar këtë shtet në aspektin politik, ushtarak dhe ekonomik”.

Presidenti Putin e ka përsëritur qëndrimin që Rusia po përballet me kërcënim nazist dhe kërcënime e urrejtje nga regjimi i Kievit.

Por, sipas tij, mposhtja e Rusisë është e pamundshme.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

ShBA-ja: Kërcënimi nga Perëndimi është “absurditet”

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se pretendimi i Putinit se lufta në Ukrainë është nxitur nga Perëndimi, është “absurditet”.

“Askush nuk është duke e sulmuar Rusinë. Është absurditet të thuhet se Rusia ka qenë nën një formë të kërcënimit ushtarak nga Ukraina, apo kushdo tjetër”.

“Kohë e komplikuar”

Putini në nisje të fjalimit të tij para kombit, ka thënë se do të flasë “në kohë të komplikuar” për Rusinë dhe “në kohën e ndryshimeve drastike në botë”.

Presidenti rus ka thënë se, “ngjarjet historike do ta përcaktojnë të ardhmen e vendit tonë…. Secili prej nesh ka përgjegjësi të mëdha”.

“Rusia ka tentuar ta zgjidhë konfliktin në mënyrë paqësore”

Putin ka vazhduar fjalimin duke pretenduar se Rusia ka tentuar ta zgjidhë konfliktin në rajonin ukrainas të Donbasit në mënyrë paqësore.

Sipas tij, përkushtimi i Perëndimit për paqe ka qenë “mashtrim” dhe “gënjeshtër mizore” dhe ka pretenduar se Kievi ka tentuar të mbledhë armë biologjike dhe bërthamore.

“Ne kemi bërë gjithçka të mundshme për ta zgjidhur këtë problem në mënyrë paqësore, për të negociuar në mënyrë paqësore këtë konflikt të vështirë, mirëpo mbrapa shpinës sonë ka qenë duke u përgatitur një skenar i vështirë”.

“Ukraina dhe Donbasi janë kthyer në simbole të gënjeshtrave”, ka thënë Putini, duke e akuzuar Perëndimin për tërheqje nga “marrëveshjet thelbësore” dhe deklarata “hipokrite”, si dhe për zgjerim të NATO-s dhe mbulimin e Rusisë “me një çadër”.

“Dua ta përsëris, janë ata fajtorë për luftën, dhe ne jemi duke e përdorur forcën për ta ndalur atë”, ka thënë Putin.

Kritika shtesë ndaj Perëndimit

Duke përmendur në veçanti Shtetet e Bashkuara, Putin ka thënë se marrëdhëniet me këtë shtet kanë degraduar plotësisht.

Sipas Putinit, Shtetet e Bashkuara dëshirojnë ta kontrollojnë botën, dhe se ato e kanë shkatërruar një strukturë të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Në mesin e akuzave tjera, ai ka thënë se Perëndimi është “duke e tërhequr vëmendjen e njerëzve nga skandalet e korrupsionit”.

Ai ka thënë më pas se Perëndimi “ua ka hapur rrugën” nazistëve për të marrë pushtetin më 1930 dhe që prej shekullit të XIX, Perëndimi ka tentuar të shkëpusë trojet historike nga shteti ynë – “atë që sot njihet si Ukrainë”.

“Gjithçka përsërit veten”, ka thënë Putin, duke shtuar se Perëndimi e ka financuar revolucionin e vitit 2014 në Ukrainë, i cili “e ka rritur rusofobinë dhe nacionalizmin ekstrem”.

Një tjetër pretendim i përsëritur nga Putini është se përgjegjësia e Rusisë është që të “likuidojë regjimin neo-nazist në Kiev”.

Ndikimi i luftës brenda Rusisë

Putini ka thënë përgjatë fjalimit se e ka përgatitur një listë me emra të seksioneve ushtarake që do të dëshironte t’i falënderonte, mirëpo lista, sipas tij, është shumë e gjatë.

Turma ka duartrokitur kur ai ka thënë se “përulet para familjeve dhe grave të ushtarëve”.

Presidenti rus i ka falënderuar mësuesit, ndërtimtarët dhe bujqit, që kanë luftuar në front të luftës.

Ai është zotuar se do t’i mbështesë familjet e ushtarëve rusë.

“Secila familje që ka humbur një luftëtar, secili veteran do të ketë një koordinator për kujdes shëndetësor që do t’ia zgjidhë të gjitha çështjet”.

Ai është zotuar për krijim të një fondi të posaçëm qeveritar për t’iu ofruar ndihmë personave që kanë marrë pjesë në luftë apo familjeve të tyre.

Situata ekonomike

Putini ka thënë se ekonomia ruse ka dalë më e qëndrueshme sesa është pritur pas sanksioneve ndërkombëtare dhe se bruto-prodhimi i brendshëm (GDP) nuk ka rënë ashtu siç është pritur.

“Ata kanë parashikuar shkatërrim të ekonomisë ruse, mirëpo bizneset ruse e kanë rindërtuar logjistikën, partneritetin”, ka thënë ai.

Për më shumë, ai ka thënë se dëshiron të krijojë një sistem të sigurt të pagesave ndërkombëtare që do të ulin varësinë ndaj Perëndimit.

“Ne nuk duhet t’i përsërisim gabimet tona. Ne nuk guxojmë ta shkatërrojmë ekonominë tonë”.

Ai ka thënë se sanksionet perëndimore synojnë t’i shkaktojnë “vuajtje” popullit rus, por nuk kanë pasur sukses, dhe ka pretenduar se vlera e rublës ruse në transaksionet ndërkombëtare “është dyfishuar”.

Korrje “rekorde” të grurit

Edhe në të kaluarën, Putini e ka shfrytëzuar fjalimin para kombit për të lavdëruar korrjet e grurit, ndërsa këtë herë i ka falënderuar bujqit për atë që e ka konsideruar “korrje rekorde”.

Ai ka shtuar se planifikon të rrisë eksportet e grurit për 60 milionë tonë deri në fund të vitit 2023.

Sipas tij, një rritje e tillë në të kaluarën është menduar vetëm si “përrallë”.

Planet për bashkëpunim ekonomik

Në një moment të fjalimit, ai është ndalur te planet dhe ambiciet për të ardhmen, duke përmendur përmirësimin e lidhjeve ekonomike.

Ai ka folur për zgjerimin e autostradave nga Moska në Kazan dhe me Mongolinë e Kinën, ashtu që të zgjerohen lidhjet e Rusisë me lindjen e Azisë.

Putini ka thënë se dëshiron të rrisë bashkëpunimin edhe me Indinë dhe Iranin.

Presidenti rus ka folur edhe për transformimin ekonomik prej rënies së Bashkimit Sovjetik më 1990.

Putini ka pretenduar se Perëndimi nuk është ndalur kurrë nga nxitja e tensioneve në shtetet ish-sovjetike përmes formave të shtypjes ekonomike.

Lihen mënjanë ndarjet e përfolura mes elitave ruse

Fjalimi i Putinit është ndërprerë disa herë nga duartrokitjet e publikut, i cili është përbërë nga anëtarë të Asamblesë Federale, si dhe liderë ushtarakë e biznesorë.

Pjesëmarrësit janë ngritur disa herë në këmbë për ta duartrokitur presidentin rus, duke treguar një front të përbashkët, ndonëse përflitet se ekzistojnë tensione në mesin e zyrtarëve të lartë ushtarakë për shkak të luftës në Ukrainë.

Disa prej aleatëve më të ngushtë të Putinit, përfshirë Guvernatoren e Bankës së Rusisë, Elvira Nabiullina, besohet se janë kundër luftës.

Mirëpo, publikisht, të gjithë janë parë afër me qëndrimet e Putinit.

Fokusi i radhës… të drejtat e komunitetit LGBT

Përgjatë fjalimit, presidenti rus ka folur edhe për të drejtat e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), një temë që e diskuton shpesh.

“Familja nënkupton bashkim në mes të burrit dhe gruas”, ka thënë Putin, duke shtuar se “ashtu thonë tekstet e shenjta të secilës fe në botë”.

“Mirëpo, Perëndimi është duke i vënë në dyshim këto tekste të shenjta… Ne duhet t’i mbrojmë fëmijët tanë nga degradimi dhe degjenerimi – dhe ashtu do të bëjmë”, ka thënë ndër tjerash ai.

Këto deklarata janë përcjellë me duartrokitje nga pjesëmarrësit në sallë.

Sipas tij, pedofilia është kthyer në normë në Perëndim.

“Shikojeni çfarë i bëjnë popullit të vet: shkatërrim të familjeve, të identitetit kulturor dhe kombëtar dhe abuzim i fëmijëve që shkon deri në pedofili… këto reklamohen si norma… dhe priftërinjtë janë të detyruar të bekojnë martesa mes çifteve të gjinisë së njëjtë”, ka thënë Putini.

Go to TOP