Punimet në shkollë, rrezikohen nxënësit

Në shkollën “Emin Duraku” në Shtime kanë nisur punimet për ndërrimin e kulmit dhe dritareve. Por, prindërit po ankohen për fëmijët e tyre, për shkak të pluhurit dhe rreziqeve nga skelet që janë vendosur.

Në shkollën fillore “Emin Duraku” në Shtime, po zhvillohen punime në kuadër të një projekti për efiçiencë. Ndërhyrjet përfshijnë ndërrimin e kulmit dhe dritareve, por kanë ngjallur shqetësime tek disa prindër, të cilët thonë se zhurma dhe pluhuri po ndikojnë në mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Një prind, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se vajza e saj ka pasur vështirësi ta ndjekë mësimin për shkak të kushteve të krijuara në ambientet shkollore.

“Vajzën time e mundon pluhuri, ka zhurma. Dje nuk ka mundur ta zhvillojë mësimin, orën e parë dhe të dytën e kanë zhvilluar në rregull, ndërsa orën e tretë dhe të katërt kanë dal në oborr me mbajt mësimin prej zhurmave dhe pluhurit që është krijuar”, tha ai.

Shqetësime për sigurinë e nxënësve pati edhe gjyshi për nipin dhe mbesën e tij.

“Nëpër skele mund të lëndohen fëmijët. Është dashur përgjatë 3 muajve kur fëmijët kanë pushim të bëhet renovim, e jo tash”, tha Sejdi Spahiu.

Drejtoresha e shkollës, Filloreta Abazi, tha se punimet po zhvillohen në koordinim me kapacitetet që ofron objekti shkollor, edhe pse pranoi se ka pasur vështirësi.

“Këtë javë kemi pas intensitet të punës, ndërrimi i dritareve na ka lëvizë ndërrimin. Për momentin jemi duke e zhvillu procesin në 2 ndërrimet në ato hapësirat ku po punohet me dritaret, pastaj ne po kalojmë në ndërrimet e pasdites për një apo dy ditë për klasën, varësisht në korridorin që po punohet. Normalisht për ne është ngarkesë, pasi si menaxhment është pak më stres, por deri më tani gjithçka është mirë por që po punohet me atë që ne kemi menduar dhe kemi synuar”, tha ajo.

Ndërkohë, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Shtimes, Yllka Fejzullahu, përmes telefonit i tha RTK-se se investimet janë të domosdoshme dhe pjesë e një projekti më të gjerë.

“Projekti është nga fondi për efiqiencë të energjisë që realizohet në mes të Komunës së Shtimes dhe të Ministrisë së Ekonomisë. Ne natyrisht me punëkryerësin i kemi diskutuar mundësitë se kur mund të fillojnë investimet, por për shkak që do të bëhet një punë shumë e madhe, është e pamundur që punimet të zhvillohen vetëm gjatë pushimit veror në korrik dhe në gusht sepse nuk mundet të arrihet të mbulohet rregullimi apo renovimin. Do të thotë duhet të preket pjesa edhe e procesit mësimor e që ne e kemi kërkuar që puna të zhvillohet kryesisht pas mësimit, apo nëse zhvillohet gjatë mësimit të bëhet në hapësirat ku nuk u pengon nxënësve”, tha Fejzullahu.

Sipas Drejtorisë Komunale të Arsimit, punimet në shkollën “Emin Duraku” pritet të përfundojnë në shtator. Investime të ngjashme pritet të nisin edhe në dy shkolla të tjera të komunës.


Go to TOP