Punëtorët e RTK-së pa paga prej dy javësh, SPERTK paralajmëron protesta

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës nuk kanë marrë pagat e tyre për dy javë. Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka reaguar duke paralajmëruar protesta të pandërprera nëse pagat nuk ekzekutohen deri nesër.

SPERTK thekson se nga fillimi i javës së ardhshme, protestat do të nisin brenda objektit të RTK-së dhe do të përfshijnë të gjithë punonjësit.

“Duke parë gjendjen e rënduar në RTK dhe situatën e kolegëve që vazhdojnë të punojnë pa ndalur, pavarësisht se shumica nuk kanë as mundësitë financiare minimale për të ardhur në punë, Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së reagon publikisht: Nëse deri nesër nuk bëhet ekzekutimi i pagave për të gjithë punëtorët e RTK-së, nga fillimi i javës së ardhshme do të fillojmë protesta të pandërprera në RTK, pa dallim sektori apo pozicioni pune”, thuhet në njoftim.

Tutje, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), u bën thirrje punëtorëve për bashkim.

“U bëjmë thirrje për bashkim të gjithë punëtorëve të RTK-së – askush nuk mund të luajë me dinjitetin tonë, me ekzistencën e RTK-së dhe me familjet tona. Kërkesa jonë është e qartë: Pagat menjëherë!”, përfundon njoftimi. /Kosova.info/


Go to TOP