Punësimi i grave nga grupet etnike, mbetët sfidë në Kosovë

Femrat nga grupet etnike jo shumicë po përballen me sfida të shumëfishta kur bëhet fjalë për çështjen e punësimit. Disa nga këto gra të intervistuara nga Radio Kosova kanë thënë se kanë arritur të përfitojnë nga fondet e BE-së për hapjen e kompanive të vogla private.

Punësimi i femrave vazhdon të mbetët sfidë në Kosovë. Sipas statistikave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vetëm rreth 21 për qind e femrave janë të punësuara në nivel të vendit.
Nga fenomeni i papunësisë nuk kanë shpëtuar as femrat e komuniteteve në Kosovë.

Svetlana Gjuriq, serbe, nga fshati Osojan, Komuna e Istogut, thotë për Radio Kosovën se ka hapur punëtori për prodhimet bujqësore dhe kulinari, duke përfituar nga programet që ofrojnë organizatat ndërkombëtare.

“Vetë e kemi filluar biznesin bashkë me katër gra. Këtë vit, kemi marrë donacion dhe kemi filluar me kulinari por kemi mungesë të mjetit të transportit”, tha ajo.

Ndërkaq Bogiqeviq Zora, e kthyer që nga vitit 2011 në fshatin Drenoc, Komuna e Klinës., thotë se ende nuk ka marrë ndonjë donacion për të filluar punë.

“Kam kërkuar donacion që vetë të punoj por nuk kam marrë ende asgjë. Vetëm premtime”, tha Zora.

E Atije Hudiqi, një vajzë rome nga fshati Prilluzhë, Komuna e Vushtrrisë ka kryer kursin e rrobaqepësisë të organizuar nga OSBE-ja dhe tash është në pritje të një makine për qepje.

“E kam kryer kursin e rrobaqepësisë qe gjashtë muaj. Tash po pres të marr një makinë për qepje”, tha Hudiqi

Zyrtarja e OSBE-ës, Julia Vitanova, sqaron se nevojat nëpër komuna dallojnë dhe se janë duke bërë përpjekje që sa më shumë gra të përfitojnë nga ky program. Ajo thotë se fokusi është te gratë e kthyera dhe grupet e cenueshme.

“Për shembull, në Pejë ka më shumë interesim për pajisje të specifikuara ndërkaq në rajonin e Gjilanit, ka më shumë nevojë për ngritje të kapaciteteve, modelet e biznesit”, tha Vitanova.

Gent Saraqi, nga Organizata gjermane “HELP” në Kosovë, thotë se deri më tani si organizatë kanë mbështetur femrat me grante që përmbajnë pajisje për punë e tyre.

“Prej vitit 2015 kemi dhënë rreth 2 mijë grante. Fushat kryesore qe mbulojmë janë:sektori i rrobaqepësisë, bujqësisë, bletarisë, kulinarisë etj”, tha Sariqi.

Ndryshe përmes fondeve të BE-së, që është donator kryesor i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), deri më tani janë ndihmuar mbi 100 gra për hapje të bizneseve fillestare dhe zgjerim të bizneseve ekzistuese.

Go to TOP