Amorim për Leao-n: Është lojtari ynë derisa të ndryshojë diçka
Trajneri i Milanit, Ruben Amorim, ka folur për herë të parë rreth spekulimeve që lidhen me të ardhmen e Rafael Leaos duke theksuar se sulmuesi portugez mbetet pjesë e skuadrës italiane.
Gjatë ditëve të fundit janë shtuar zërat për një largim të mundshëm të Leaos nga “San Siro”, ndërsa raportohet se Fenerbahçe ka bërë ofertën e parë për të, në vlerën e 40 milionë eurove plus 2 milionë euro bonuse. Megjithatë, Milani thuhet se kërkon një shumë më të lartë për të lejuar largimin e yllit të saj.
Leao pati një sezon me paraqitje të mira në Serie A, ku në 29 ndeshje realizoi 9 gola dhe dhuroi 3 asistime duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm ofensivë të skuadrës.
Me fillimin e përgatitjeve parasezonale, Amorim është pyetur për situatën e sulmuesit portugez, me të cilin pritet të zhvillojë edhe një bisedë gjatë kësaj jave.
“Rafael është lojtari ynë derisa të ndryshojë diçka. Për mua, skuadra është gjëja më e rëndësishme. Nuk është diçka e komplikuar”, ka deklaruar Amorim.
Trajneri i Milanit ka bërë të ditur se do të zhvillojë biseda me Leaon dhe futbollistët e tjerë që janë rikthyer pas angazhimeve me kombëtaret.
“Do të flas me Rafael, me Gonçalo Ramos, me Alexis Saelemaekers dhe me të gjithë lojtarët që po rikthehen. Do t’u shpjegojmë se çfarë do të bëjmë. E di që ka shumë spekulime për disa prej lojtarëve tanë, por ata mbeten pjesë e skuadrës derisa të ndryshojë diçka”, u shpreh ai.
Milani ka investuar mbi 100 milionë euro këtë verë për afrimet e Gonçalo Ramos dhe Mario Gilas, por drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend të shesin yjet kryesorë për të balancuar shpenzimet.
Në moshën 27-vjeçare, Leao mbetet një nga figurat kryesore të projektit të Amorimit, i cili ka marrë detyrën për ta rikthyer Milanin në garën për titullin e Serie A, trofe që klubi nuk e ka fituar që nga sezoni 2021/22.
