Gruri e misri me prodhim të mirë, por tregu mbetet sfidues për bujqit

Periudha e korrje-shirjeve që nisi në fund të qershorit, ka rikthyer në vëmendje pyetjen se sa afër është vendi me sigurimin e bukës së motmotit. Ndërsa rendimentet e grurit dhe misrit vlerësohen të kënaqshme, rritja e vazhdueshme e çmimeve të plehrave artificiale dhe naftës po rrit koston e prodhimit vendas. Kjo situatë po e mban Kosovën ende nën nivelin e nevojave të konsumit vendor, duke e lënë tregun e varur nga importi i drithërave.

Bujku Gani Dobratiqi nga Prishtina, i cili ka mbjellë 20 hektarë grurë dhe 5 hektarë misër, shprehet i kënaqur me rendimentet e sivjetme. Megjithatë, kostoja e lartë e shpenzimeve operative dhe inputeve bujqësore po minimizon fitimet, duke e bërë këtë vit sfidues për sektorin.

“Sa i përket rendimenteve, këtë vit kam pasur rreth 20 hektarë me grurë. Rendimenti ka qenë mbi 5 mijë kilogramë për hektar dhe jam i kënaqur. Kam mbjellë edhe 5 hektarë me misër, i cili është në gjendje shumë të mirë. Nëse vazhdojnë reshjet, presim që edhe misri të japë rendiment të lartë. Megjithatë, ky vit nuk ishte i lehtë për shkak të shpenzimeve të larta për inputet bujqësore dhe naftës”, tha ai.?

Federata Sindikale e Bujqve, këtë vit e vlerëson mjaft të mbarë për prodhimet bujqësore, me pritshmëri për rendimente rekord të grurit dhe misrit.

“Sivjet ka qenë një vit i mirë. Pjesa kryesore e kulturave të grurit dhe misrit është në gjendje të mirë. Rendimentet pritet të jenë ndër më të mirat e viteve të fundit. Edhe kultura e misrit është zhvilluar mirë, falë lagështisë së mjaftueshme dhe ditëve me diell, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Presim rendimente të kënaqshme”, tha Tahiri.

Pavarësisht vitit të frytshëm, ekspertët theksojnë se prodhimi bujqësor në Kosovë mbetet nën nivelin e nevojave të konsumit vendor, duke e mbajtur tregun të varur nga importi i drithërave.

“Rendimentet janë të kënaqshme, por sasia e përgjithshme e prodhimit në nivel vendi vazhdon të jetë e pamjaftueshme dhe nuk i plotëson nevojat ushqimore të konsumatorëve. Si pasojë kemi importe të mëdha. Duhet të jemi të përgjegjshëm: Kosova nuk i ka kushtet agroekologjike për kultivimin e orizit apo kafesë, por importi i kulturave strategjike që mund të prodhohen në vend është i pajustifikueshëm sikurse grurit, misrit”, tha Imer Rusinovci, ekspert i bujqësisë.

Përveç varësisë nga importi, bujqit theksojnë se çmimi i ulët i grurit në tregun vendas mbetet një nga shqetësimet kryesore, duke rrezikuar të mos mbulojë as kostot bazë të prodhimit.


Go to TOP