PSHDK mohon legjitimitetin e të ashtuquajturës degë në Vjenë

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës ka reaguar ndaj një dokumenti që po qarkullon në opinion, duke e cilësuar atë si të pavlefshëm dhe të paautorizuar. Në reagimin zyrtar, Kryesia Qendrore e PSHDK-së sqaron se “Procesverbali nga takimi i pestë i degës së PSHDK-së në Vjenë”, i datës 7 dhjetor 2025, nuk është dokument zyrtar i partisë dhe nuk përfaqëson asnjë strukturë legjitime.

Sipas PSHDK-së, e ashtuquajtura degë në Vjenë nuk është themeluar, miratuar apo njohur nga organet kompetente të partisë. Për këtë arsye, ajo konsiderohet strukturë fiktive dhe e vetëshpallur, pa mandat politik, statutor apo përfaqësues.

Në reagim thuhet se çdo deklaratë apo aktivitet i ndërmarrë në emër të PSHDK-së nga individë apo grupe të tilla është i pavlefshëm dhe përbën keqpërdorim të emrit dhe identitetit politik të partisë.

Kryesia Qendrore thekson se PSHDK mbetet e përkushtuar ndaj funksionimit demokratik dhe respektimit të statutit, duke sqaruar se çështjet politike, përfshirë koalicionet dhe orientimet programore, trajtohen vetëm në instancat zyrtare të partisë.

Po ashtu, PSHDK u bën thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe të njohin si përfaqësuese vetëm strukturat e certifikuara dhe të miratuara zyrtarisht.

Në fund, partia sqaron se nuk mban asnjë përgjegjësi për veprimet apo deklaratat e strukturave fiktive apo individëve të vetëshpallur./Kosova.info/

Go to TOP