Pse po dështon konstituivi i Kuvendit?

Konstituivi i Kuvendit dështoi edhe në përpjekjen e katërt të hënën, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi kohë për të arritur marrëveshje politike për emërimin e kandidates së saj, Albulena Haxhiu, si kryetare të Kuvendit.

Kandidatura e Haxhiut s’u hodh fare në votim në seancën e fundit, në mungesë të mbështetjes nga paritë e tjera, pasi LVV-ja e vetme nuk i ka 61 votat e nevojshme për emërimin e saj.

Në seancën e së hënës, deputeti i kësaj partie, Glauk Konjufca, tha se partia nuk e sheh të arsyeshme që në atë seancë ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, pasi partitë e tjera parlamentare nuk pranojnë ta votojnë atë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i kanë kërkuar partisë fituese të vijë me një kandidat tjetër.

Por, LVV-ja ngul këmbë se Haxhiu është kandidatja e tyre dhe kjo nuk do të ndryshojë.

Çfarë pritet të ndodhë në seancën e sotme?

Në seancën e sotme, deputetët duhet t’i zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët, në mënyrë që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës përfundimisht.

Lëvizja Vetëvendosje pritet ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por nuk është e qartë nëse i ka votat e nevojshme.

Haxhiu dështoi të emërohej në seancën e 19 prillit, pasi i mori vetëm 57 vota nga 61 të nevojshme në dy tentime radhazi, ndërsa nuk u hodh fare në votim në atë të 21 prillit.

Seanca konstituive, sipas rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Në rast se Kuvendi konstituohet sot në përpjekjen e katërt, atëherë do të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.


Go to TOP