Pse Kosovën e përfaqësoi Enver Hoxhaj në Forumin Global të Sigurisë në Doha?
Në një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare për çështjet e sigurisë – Forumin Global të Sigurisë në Doha – përfaqësimi i Kosovës nga një deputet opozitar dhe jo nga përfaqësues institucionalë, ka ngritur pikëpyetje të shumta për mënyrën e prezantimit të vendit në arenën ndërkombëtare.
Në edicionin e sivjetmë të Forumit Global të Sigurisë, që u mbajt më 30 prill në Doha të Katarit, Kosova u përfaqësua nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj – dhe jo nga ministrat përkatës të Qeverisë së Kosovës. Ky fakt ka nxitur debat në opinionin publik, për shkak të mungesës së përfaqësuesve nga Ministria e Punëve të Jashtme apo Ministria e Punëve të Brendshme.
Burime të afërta me organizimin e Forumit bëjnë të ditur se pjesëmarrja e Hoxhajt u realizua në koordinim me Ambasadën e Kosovës në Katar, konkretisht përmes përpjekjeve të ambasadorit Fuad Morina, i cili ka siguruar ftesën dhe ka ndihmuar në organizimin e kësaj vizite. Nuk ka asnjë konfirmim se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, apo ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë ftuar në këtë forum, pavarësisht rëndësisë së tij për sigurinë dhe politikën e jashtme.
Forumi Global i Sigurisë është një ngjarje prestigjioze që mbledh liderë botërorë, diplomatë, ekspertë të sigurisë dhe akademikë për të trajtuar temat më aktuale, si kërcënimet hibride, siguria kibernetike dhe sfidat humanitare. Prandaj, prania e Kosovës në këtë forum konsiderohet jetike për forcimin e profilit ndërkombëtar të shtetit dhe ruajtjen e çështjes së saj në tryezat globale.
Përfaqësimi nga një deputet i opozitës, edhe pse kontribuon në diplomacinë parlamentare, ngre pyetje serioze: a ishte ky një vendim i qëllimshëm i institucioneve të Kosovës për të mos marrë pjesë në nivel qeveritar, një mungesë koordinimi mes akterëve institucionalë, apo thjesht një rastësi e diktuar nga agjenda e ngjeshur e ministrave?
Deri më tani, nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar nga Qeveria e Kosovës në lidhje me këtë çështje, ndërsa publikisht mbetet e paqartë nëse Kosova ka humbur një mundësi për përfaqësim më të fuqishëm institucional në një platformë kyçe të sigurisë ndërkombëtare.
